Mbrojtja kërkon masën e arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën

Në seancën ndaj Enver Sekiraqës të akuzuar nga Prokuroria për nxitjen e vrasjes së ish-policit Triumf Riza, është dëgjuar dëshmitari Fadil Gashi, zyrtar policor.

Ai tha se në vitin 2007 ka punuar në Drejtorinë për Krime të Rënda, ku tani është drejtor i saj.

Dëshmitari ceku se roli i tij ka qenë që ta menaxhojë vendin e ngjarjes.

“Në rastin konkret, në ditën e incidentit kam qenë në vendngjarje, në rolin e ndarjes së detyrave të personelit të angazhuar, detyrë për mua ka qenë menaxhimi i vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes me mua ka qenë i pranishëm dhe Prokurori i rastit Osman Mehmeti”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, dyshohej se kjo vrasje ishte bërë për hakmarrje, po ashtu se kanë komunikuar me dhomën e komanduese, për të grumbulluar dëshmi të tjera.

“Është komuniku me dhomën komanduese, për grumbullimin e dëshmive të tjera lidhur me rastin. Dhomën komanduese e ka udhëheqë, nënkoloneli Latif Merovci, i cili ka mundur të komunikojë me ne në vendngjarje”, tha dëshmitari Gashi.

Ai shtoi se për të gjitha kontrollet dhe bastisjet e planifikuara është informuar prokurori Osman Mehmeti, por dhe se nga dhoma komanduese është komunikuar me gjyqtaren e procedurës paraprake, që në atë kohë ka qenë Drita Hoxha.

“Nga dhoma komanduese na është dhënë njoftimi se është kontaktuar gjyqtarja e procedurës paraprake Drita Hoxha dhe njëkohësisht janë njoftu dhe njësitet tjera që mund të vazhdojnë me atë urdhër të kontrollit, për ta lokalizuar të dyshuarin i cili kishte ikur me armë në dorë”, shtoi dëshmitari.

“Në ditën e incidentit nga dhoma komanduese jemi njoftuar unë dhe prokurori se do vazhdohet me urdhërkontroll në lokalin në lagjen “Lakrishte” i cili ishte në pronë, posedim apo menaxhim të Enver Sekiraqës në atë kohë, lokalin “Sekiraqa”, nëse nuk gaboj”, tha dëshmitari.

Avokatja e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi propozoi që të njëjtit t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

“Unë kërkoj dhe iu lus bazuar në të gjitha aktet më të larta juridike të vendit tonë dhe ndërkombëtare, mbi të drejtat jo vetëm të njeriut por dhe për të paraburgosurit në veçanti, që ndaj të mbrojturit tim të merrni vendim për zëvendësim të masës së paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak”, tha avokatja Kelmendi.

“I mbrojturi im s’ka dokument e as letërnjoftim, e as nuk është arratisë kurrë, nuk mund të ekzistojë ndikimi i dëshmitarëve, pasi të njëjtit 6 herë kanë deklaru këtu”, shtoi ajo.

Ajo ceku se Sekiraqa ka 9 vite që gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa tha se ekzistojnë raste të personave të akuzuar për raste të vrasjeve të dyfishta e trefishta që mbrohen në liri.

Ndërsa prokurori i rastit, Haki Gecaj tha se kërkesa për ndërrimin e masës së sigurisë është e pabazuar.

“Ne jemi tani në fazën e rigjykimit, ku do të dëgjohen dëshmitarë në këtë çështje penale, kërkesa për ndërrimin e masës së paraburgimit është e pabazuar meqë ende ekzistojnë të gjitha bazat ligjore për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit për të akuzuarin Sekiraqa”, tha prokurori Gecaj.

Sa i përket propozimit të avokates Kelmendi për zëvendësim të masës së paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak për të akuzuarin Sekiraqa, Gjykata do të marrë vendim jashtë seancës.

Seancat e radhës u caktuan për datat, 7 dhe 8 shtator 2021.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vet i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Sot pritet të mbahet seanca e radhës ndaj Enver Sekiraqës