Polici special, Murat Latifi i dyshuar për keqpërdorim të detyrës e armëmbajtje pa leje- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Mbrohet në liri pjesëtari i NJSO-së, i dyshuar për zbulim të fshehtësisë zyrtare e armëmbajtje pa leje
Pas disa muajsh paraburgim e një muaj arrest shtëpiak, do të mbrohet në liri pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Murat Latifi, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës, zbulim të fshehtësisë zyrtare e armëmbajtje pa leje.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com Hateme Haxhaj, zëdhënëse e Gjykatës së Mitrovicës.
“Lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit M.L., nuk është parashtruar kërkesë për vazhdim të masës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe në mungesë të kërkesës Gjykata e ka ndëprerë masën e arrestit shtëpiak nga data 29.01.2026. I njëjti mbrohet në liri”- potencoi Haxhaj.
Më 14.01.2026, Gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në afat prej një muaji Murat Latifit.
Ky vendim erdhi pasi Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Për zyrtarin policor të dyshuar për disa vepra penale KALLXO.com raportoi në vazhdimësi.
Gjykata e Mitrovicës i kishte caktuar edhe një muaj paraburgim.
Masa e paraburgimit të pandehurit i është llogaritur nga data 03.12.2025 deri me datë 03.01.2026.
Kjo masë erdhi pasi që Latifi ishte edhe tre muaj të tjerë në paraburgim.
Murat Latifi, polic i Njësisë Speciale Operative ishte arrestuar nën dyshimin se kishte ofruar të dhëna apo informacione të brendshme policore për disa raste në të cilat ishin duke u hetuar disa anëtarë të familjes Gërbeshi nga Vushtrria.
Me këto veprime, polici special dyshohet se kishte nxjerrë edhe informacione konfidenciale të Policisë, të cilat konsiderohen zyrtare.
Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se kishte arrestuar Murat Latifin më 03.09.2025 dhe kishte kryer bastisje në shtëpinë e tij në Vushtrri.
Deri te arrestimi erdhi pas një hetimi, bashkëpunim mes IPK-së dhe Policisë së Kosovës.
Informacionet që dyshohet se ndau apo shpërndau polici Latifi ishin për anëtarët e familjes Gërbeshi, një familje e cila kohët e fundit ka pasur disa raste të raportuara në Polici për veprime kriminale.
Një informacion tjetër që ka mësuar KALLXO.com është edhe se Latifi dyshohet se në një rast ndihmoi një anëtar të familjes Gërbeshi që të arratisej nga vendi i ngjarjes në një rast të ndodhur muaj më parë në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë.
Të shtëna armësh në atë rast ishin raportuar në lagjen “Arbëria”, ndërsa dyshimet që kanë tashmë edhe hetuesit e IPK-së tregojnë se Latifi pretendohet se ishte në të njëjtën veturë me dorasin e të shtënave e që i përkiste familjes Gërbeshi nga Vushtrria.
Arrestohet një polic special, dyshohet për keqpërdorim të detyrës e armëmbajtje pa leje