Ilustrim
Mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, Policia njofton për bllokim të trafikut në intervale të shkurta kohore
Nesër në vend është planifikuar që të mbahet takimi i radhës mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Për këtë, Policia e Kosovës, ka njoftuar për angazhimet policore rreth kësaj mbledhje.
“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thotë Policia.
Tutje është bërë e ditur se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante.
Për këtë Policia ka kërkuar mirëkuptim të plotë të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Mbledhja e fundit mes dy qeverive është mbajtur në nëntor të vitit 2021.