Ilustrim

Mbi 7 milion euro të planifikuara për ndërtim të shkollave fillore dhe të mesme

Në projektligjin për buxhetin e vitit 2022 është paraparë që të ndërtohen 22 shkolla fillore dhe të mesme në të gjithë Kosovën.

Për përfundimin e ndërtimeve të shkollave që janë në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, janë ndarë 300 mijë euro.

Ndërsa, mbi 7 milion e 930 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore.

Mbi 1 milion e 800 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objekteve shkollore në zonat urbane për të cilat nuk është specifikuar vendi ku planifikohen të ndërtohen.

Dy shkolla fillore do të ndërtohen në Mitrovicë, njëra në fshatin Braboniq me vlerë prej 200 mijë eurove dhe tjetra në fshatin Gushvac me vlerë 176 mijë eurove.

Në Rahovec janë planifikuar të ndërtohen tri objekte shkollore. Për shkollën në fshatin Llukac i Bregut është ndarë buxhet prej 100 mijë eurove, për atë në fshatin Krushë e Madhe janë ndarë 700 mijë euro dhe për shkollën e re që pritet të bëhet në Vrajake-Bratotin janë ndarë 300 mijë euro.

Ndërtimi i një objekti për shkollë profesionale në vlerë prej 400 mijë eurove në Ferizaj dhe një shkolle fillore në fshatin Talinoc i Muhaxherëve në vlerë prej 300 mijë eurove, janë planifikuar gjithashtu.

Nga dy objekte të shkollave fillore janë planifikuar të ndërtohen edhe në Malishevë, Deçan dhe Podujevë.

Shuma e përcaktuar për shkollën “Lan Selimi” në Lumbardhë të Deçanit është 100 mijë euro, ndërsa për shkollën “Lidhja e Prizrenit” janë ndarë 450 mijë euro.

400 mijë euro janë ndarë për shkollën “Ibrahim Mazrek” në Malishevë dhe 200 mijë euro për shkollën në fshatin Dragobil.

Për ndërtimin e shkollave fillore në Podujevë janë planifikuar 300 mijë euro, për shkollën “Luigj Gurakuqi” janë ndarë 200 mijë euro, ndërsa për shkollën “Ilir Konushevci” 100 mijë.

Nga një objekt shkollor është planifikuar të ndërtohen në Prishtinë, Lipjan, Suharekë, Kaçanik, Junik, Kamenicë dhe Gjilan.

Në Lipjan do të ndërtohet objekti i shkollës së mesme “Adem Gllavica” në vlerë prej 500 mijë euro, ndërsa në Gjilan do të ndërtohet shkolla e Mesme e Muzikës në vlerë prej 200 mijë eurove.

Në buxhetin për vitin 2022 janë paraparë ndërtimi i shkollave  fillore, në Vraniq, Suharekë në vlerë prej 400 mijë euro, në Prishtinë në vlerë prej 150 mijë euro, në Doganaj të Kaçanikut në vlerë prej 240 mijë eurove, në Junik me vlerë 500 mijë euro dhe ndërtimin e shkollës fillore “Fan Noli” në Kamenicë në vlerë prej 200 mijë eurove.