Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit miraton buxhetin për vitin 2022

Asambleja e Komunës së Prizrenit sot ka miratuar buxhetin për vitin 2022.

Buxheti i komunës së dytë më të madhe në vend, për vitin 2022 do të jetë 49 milionë e 455 mijë  e 755 euro.

Për vitin 2022, grant qeveritar do të jenë 42 milionë euro apo 2 milionë euro më shumë se granti qeveritar i vitit 2021.

Kryetari i ri i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se ky buxhet adreson nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Prizrenit.

“Një lajm i mirë në prag të ndërrimit të motmoteve. Sot miratuam buxhetin për vitin 2022 të Komunës së Prizrenit, i cili adreson nevojat dhe kërkesat e qytetarëve tanë për më shumë investime e punë të mira në çdo fushë të jetës. Faleminderit kuvendarëve të cilët e votuan sot projekt buxhetin e 2022 dhe planifikimet buxhetore 2023-2024! Nga sot na pret një punë e madhe për ta zbatuar në projekte konkrete”, ka thënë Totaj.

Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2021 ka qenë afër 47.788,686 milionë apo rreth 4 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020 (53,654,638.00 milionë).