Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu: 57 milionë euro më pak për shëndetësinë në buxhetin e vitit 2022

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Qeveria e Kosovës ka blerë një vaksinë kundër COVID-19 në shumën 39 euro.

Sipas tij, edhe buxheti i planifikuar për shëndetësi për vitin 2022 është zvogëluar për afro 57 milionë euro në krahasim me vitin 2021.

“Nuk është e vërtetë ajo se është rritur buxheti për shëndetësi. Ka pasur premtime se do të rritet ky buxhet. Mirëpo në bazë të planifikimit dhe dorëzimit nga Qeveria i kemi 57 milionë euro më pak në buxhetin për shëndetësi për këtë vit. Ministri i Financave, Hekuran Murati në Kuvend ka thënë që më 2021 janë shpenzuar më shumë sepse kanë qenë për vaksina e që neve na la me kuptu që 1 milion e 200 mijë vaksina i kemi paguar 47 milionë euro, respektivisht i bie që kemi paguar më shumë se 39 euro një vaksinë, çmim jashtëzakonisht i shtrenjtë e që nuk besoj që ndonjë vend në rajon e Evropë ta ketë paguar këtë çmim”, ka thënë Haxhiu.

Në emision po diskutohen çështje të shëndetësisë në Kosovë e po ashtu edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19.

Gjithashtu do të publikohet edhe video-reportazhi se si shkuan huq 200 mijë eurot e ndara nga Qeveria Hoti për hartimin e planit për Spitalin COVID-19?