Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Specializanti: QKUK s’na paguan kujdestaritë edhe pse na detyron t’i mbajmë

Uran Halimi, përfaqësues i specializantëve me vetëfinancim, i ftuar në “Kallxo Përnime” ka thënë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk i paguan kujdestaritë e specializantëve.

Sipas Halimit, specializantët detyrohen të mbajnë kujdestari 24-orëshe dhe gjatë ditëve të vikendit.

“Kolegët tanë e kanë problemin që nuk paguhen fare. Kur jemi futur në specializim kemi pasur dy kategori dhe njëra ka qenë me vetëfinancim dhe më vonë jemi bërë me subvencione, mirëpo përfitues të këtyre nuk janë të gjithë. Problemi tjetër që e kanë specializantët është që i detyrojnë të mbajnë kujdestari 24-orëshe ditëve të vikendit dhe nuk paguhen fare. Dy i paguan Ministria e Shëndetësisë që është e obliguar sipas udhëzimit administrativ mirëpo kujdestaritë që duhet t’i paguajë QKUK-ja nuk i rimbursojnë”, ka thënë Halimi.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohen çështje të shëndetësisë në Kosovë e po ashtu edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19.

Të ftuar në debat janë Bekim Haxhiu nga PDK, Besim Kodra nga PRAK (Shoqata e Pacientëve) dhe Uran Halimi, përfaqësues i specializantëve.

Gjithashtu publikohet edhe video-reportazhi se si shkuan huq 200 mijë eurot e ndara nga Qeveria Hoti për hartimin e planit për Spitalin COVID-19.

Po ashtu diskutohet pse nuk u ndërtuan spitali COVID-19 e Spitali i Ferizajt dhe a do të bëhen Prishtina dhe Podujeva me spitale.