Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kodra: Pacientët shpenzojnë shuma të majme për blerje të barnave

Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacientëve në Kosovë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë duhet t’u krijojë kushte pacientëve që të kenë mjekun e tyre.

Gjithashtu, Kodra ka thënë se pacientët blejnë barna në shifra shumë të larta që janë të papërballueshme për ta.

Ai shton se institucioni kur e jep diagnozën duhet të kujdeset që të japë edhe barnat që i nevojiten pacientit.

“Aktualisht ne nuk kemi listë të pacientëve, pacientët nuk kanë mjek të vetin. Pacienti duhet të ketë mjekun e vet, i cili ia cakton një termin dhe i jep rekomandime për sëmundjen që e ka. Ministria e Shëndetësisë duhet të vendosë që të bëhen listat e pacientëve”, ka thënë Kodra.

Tutje Kodra ka shtuar se mjekët duhet të monitorohen se a po qëndrojnë në vendet e punës kur janë kujdestarë në mënyrë që të japin shërbimin për pacientët.

Sipas Kodrës, mjekët edhe kur janë kujdestarë shkojnë nëpër klinika private dhe punojnë e pacienti detyrohet të shkojë në klinika private që të marrë shërbimet nga mjeku që i ka filluar tashmë kontrollat.