Afrim Bunjaku, polici i Kosovës që u vra në veri më 24 shtator 2023

Mbahet sot mbledhje komemorative në nderim të rreshter Afrim Bunjaku

Në nderim të rreshter Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në orët e para të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit, sot në orën 12:30, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Universitetit të Prishtinës, do të mbahet mbledhje komemorative

Në këtë mbledhje do të marrin pjesë familja Bunjaku dhe personalitete më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë, ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Nën patronatin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, të rreshter Afrim Bunjaku, organizohet mbledhje komemorative” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në Kosovë sot është ditë zie, për nder të policit Bunjaku. Ndërkaq, sot nga ora 16:00 polici i Kosovës, Afrim Bunjaku do të varroset në vendin e tij të lindjes në Samadrexhë, të Vushtrrisë.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Bajnskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Bajnskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të ditës së sotme, e janë lënduar dy të tjerë.

Policia e Kosovës ka thënë se deri më tash tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.

Sot ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku