Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Mashtrimi për viza gjermane, i akuzuari: Kam përgjime telefonike ndaj Hashim Thaçit e Aleksandër Lumezit

Në gjykimin e tre të pandehurve, M.Z., I.K. dhe E.K., të akuzuar për mashtrimin e mbi 900 qytetarëve të Kosovës, të cilëve u kishin premtuar viza pune për në Gjermani, është marrë në pyetje M.Z. (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës).

I pyetur nga prokurori special Atdhe Dema për deklaratat e dhëna gjatë vitit 2017 në Prokurorinë Speciale, M.Z. tha se i ka harruar 99.9% të deklarimeve për shkak të pasojave që ia ka shkaktuar COVID-19.

Megjithatë, i akuzuari theksoi se ato deklarata nuk i ka dhënë me vullnetin e tij.

Sipas tij, avokati i tij i atëhershëm, Gazmend Halilaj, i kishte bërë presion psikologjik në dhënien e disa deklarimeve si dhe në mosdhënien e disa të tjera.

“Bile-bile, më kujtohet që më ka thënë: është mirë të mos i thuash disa gjëra se mbesin në arkiv, e pastaj i lexojnë çikat e tua e kësi lloje pallavrash”, tha M.Z.

I akuzuari M.Z. për aktakuzën e ngritur ndaj tij thotë se ka përgjime telefonike ndaj atyre që, sipas tij, e kanë filluar këtë aktakuzë: Hashim Thaçit, Aleksandër Lumezit dhe Afrim Shefkiut.

“Këtij prokurorit (i referohet prokurorit Atdhe Dema) ia kanë lënë këmbët e arushës në dorë”, shtoi i akuzuari.

Ai theksoi se çfarëdo vendimi i cili do të merret nga Gjykata nuk do të ishte më i rëndë se dëmi moral që i është shkaktuar nga kjo aktakuzë.

M.Z. deklaroi se në qershor 2017 ka themeluar firmën së bashku me të akuzuarin tjetër I.K.

Pas 2 muajsh, në gusht të vitit 2017, ai tha se ka paraqitur kërkesën në ATK për tërheqje-mbyllje të firmës.

Sipas tij për dy arsye: 1. Për shkak të korrektësisë dhe 2. Për shkak të padijenisë se një deputet mund ligjërisht të jetë edhe pronar i një biznesi privat.

“Më vonë e kam kuptu, po ta disha nuk do e kisha mbyll”, tha M.Z.

Sa ishte bashkëpronar në biznes,M.Z. tha se kishte pozitën e koordinatorit, pozitë kjo, sipas tij, me kompetenca minimale në krahasim me ato të bashkëpronarit I.K.

Në seancë, M.Z. theksoi se ai nuk është marrë me pjesën e rekrutimit të punëtorëve për Gjermani. “Me atë punë është marrë I.K.”, tha ai.