Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MAShTI ndan 90 bursa për nxënës në drejtimet deficitare dhe vajzat në drejtimet teknike

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për ndarjen e bursave për nxënës në drejtimet deficitare të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) si dhe për vajzat në drejtimet teknike.

Sipas komunikatës së MAShTI, ky vendim është marrë me qëllim të përkrahjes më të madhe për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe punësimit.

Sipas këtij vendimi do të ndahen 90 bursa për nxënës të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) në drejtimet deficitare, si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike.

Këto bursa do të ndahen nga MAShTI dhe Projekti ‘LuxDev KSV/020’ për vitin shkollor 2022. Numri i bursave nga MAShTI do të jetë 40 ndërsa nga Projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të jenë edhe 50-të.

MAShTI do të ndajë 20 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Ndërkaq, projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të ndajë 30 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Vlera e bursës do të jetë 500 euro për vit shkollor.

Konkursi pritet të shpallet bashkë me konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta. MAShTI fton nxënësit që do të regjistrohen në institucioneve e arsimit profesional, si dhe vajzat në drejtimet teknike, që të aplikojnë për këto bursa.

Bursat do të ndahen për nxënësit që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas UA 136/2020.