Prizreni. Foto: KALLXO.com

Masat kundër COVID 19 - Katër gjoba të shqiptuara gjatë tërë javës për lokalet në Prizren

Gjatë gjithë javës në Komunën e Prizrenit janë shqiptuar katër gjoba për lokalet që nuk kanë respektuar masat e qeverisë të vendosura për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Por, Fahredin Ajdini, shefi i inspektoratit sanitar në Prizren ka thënë për KALLXO.com se gjobat nuk janë shqiptuar pasi që lokalet nuk kanë respektuar masën e vendosur për mbylje të bizneseve që nga ora 21:00 deri në orën 05:00, por për arsye tjera.

“Janë shqiptuar gjithësej katër gjoba, pasi që lokalet në fjalë nuk kanë zbatuar rekomandimet e Qeverisë së Kosovës, rekomandime për mbajtjen e maskave, distancës, ajrosjen e lokaleve dhe rekomandime të tilla”, ka thënë Ajdini,

Ai ka bërë të ditur se deri më tani asnjë lokal në Prizren nuk ka pranuar gjobë për mosrespektim të orarit kur është paraparë kufizim i lëvizjes së qytetarëve.

Ajdini tutje ka thënë për KALLXO.com se inspektorët sanitar po punojnë gjatë gjithë ditës e poashtu edhe në mbrëmje për të parë nëse po zbatohen rekomandimet për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

“Ne pergjithesi, ne jemi duke punar edhe paradite edhe masdite, të gjitha qendrat tregtare i kemi urdhëruar që të mos shërbejnë klientet nëse nuk kanë maska. Mund të them që në pjesën më të madhe po zbatohen rekomandimet”, ka thënë Ajdini.

Sipas Ajdinit, në fillim të pandemisë masat kanë qenë më të rrepta dhe kanë qenë të mbyllura të gjitha lokalet, por sipas tij dhe tash po respektohen në përgjithsi masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që në Prizren, Vushtrri, Prishtinë dhe Ferizaj nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të kufizohet lëvizja e qytetarëve.

Kufizohen lëvizjet në katër komuna