Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Masat anti-COVID, AUV me aksion në lokalet e Pejës

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka njoftuar se ka shqiptuar tri gjoba në Komunën e Pejës, gjatë zbatimit dhe implementimit të masave kundër Covid-19.

“Në zbatim të masave dhe reagim në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, mbrëmë me datë 06.09.2021, duke filluar nga 19:30, njësiti për reagim të shpejtë ( NJRSH), të mbështetur nga njësiti special operativ (NJSO), së bashku me inspektorët e AVUK-ut, kanë inspektuar lokalet në zonën e përgjegjësisë Pejë”, thuhet në njoftim të policisë.

Njësitet Policore së bashku me inspektorët e AVUK-ut, kanë vepruar në disa ekipe dhe kanë inspektuar në të njëjtën kohë tridhjetë e pesë lokale në këtë zonë.

“Gjatë këtij plani të inspektimit janë shqiptuar tri (3) gjoba, prej tyre një (1) ndaj personit juridik dhe dy (2) ndaj personave fizik”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës apelon tek te gjithë qytetarët që ti respektojnë vendimet e Qeverisë, dhe të IKSHPK-se. Në të kundërtën sipas policisë, për qytetarët që nuk i respektojnë vendimet e Qeverisë dhe të IKSHPK-së, toleranca do të jetë zero.