Suspendohen tre zyrtarë policorë në Pejë, nuk respektuan masat kundër COVID-19

Tre zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Pejë janë suspenduar nga detyra.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, zv.drejtori i Policisë në Pejë, Veton Elshani.

Dy nga ta për shkak se janë fotografuar në një lokal pas orës 20:00.

Në anën tjetër, burimet e KALLXO.com kanë treguar se suspendimi erdhi me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Përveç dy zyrtarëve policorë është arrestuar edhe një rreshter i cili ishte mbikëqyrës i tyre.

Siç mëson KALLXO.com, dy zyrtarët policorë janë parë në një lokal pas orës 20:00, kur është edhe e ndaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Pra për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, Qeveria ka marrë vendim që nga ora 19:00 të mbyllen të gjitha lokalet apo kafeteritë ose të përdoret nga qytetarët sistemi “take away” apo merr me vete.

Zyrtarët policorë siç mëson KALLXO.com nuk kanë përfillur vendimet dhe janë ulur në lokal pas orës 20:00 për të ngrënë ushqim.

Tutje KALLXO.com mëson se për të njëjtin lokal ditë më parë pas disa insistimeve dhe thirrjeve se lokali po qëndron hapur, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kërkuar mbylljen e lokalit pas orës së lejuar.