MAPL hap procedurat për grantin e performancës së komunave - VIDEO
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) përmes një konference për medie njoftoi për hapjen e procedurave për raportim nga komunat për Grantin e Performancës Komunale.
Zëvendëssekretari, Florim Arifi tha se këtë vit vlerësimi i grantit të performancës do bëhet sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.
Haxhi Krasniqi nga departamenti për performancë dhe transparencë të komunave tha se ky vlerësim do bëhet në tri faza.
“Kemi tre cikle të këtij vlerësimi, pjesa organizative, thirrjen për raportim që do jetë 45 ditë për vlerësim të dhënave që raportojnë komunat dhe pjesa e verifikimit kryesor që do i nënshtrohen tregues të caktuar”- u shpreh ai.
Sipas tij, granti i performancës do ketë shumë 8 milionë euro, gjysma ndahen nga qeveria dhe pjesa tjetër si donacion.
“Kjo do bëhet përmes rregullave të grantit të performancës, këtë vit kemi rregulla më specifike sepse janë të parapara me udhëzim administrativ dhe për herë të parë bëhet rregull ligjor granti i përformancës së komunës. Kuadri ligjor është i plotësuar dhe është ligji për performancë që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar dhe në UA që parasheh rregulla të përgjithshme për pjesën e vlerësimit të grantit”- u shpeh ai,
Ai theksoi se MAPL ka qenë në fazën e ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe të dokumenteve tjera përcjellëse.
“Fillimisht kemi përshtatur dokumentin kryesor dhe rregullat e grantit me ligjin për performancë komunale dhe udhëzimin administrativ që janë dy dokumente të aprovuara; në kuptimin ligjor dhe normativ ky sistem është përmbledhur mjaft mirë dhe po prodhon efekte në komuna”- shtoi ai.
Pra, MAPL ka dy pjesë vlerësimi, performancën e komunave dhe sistemin e menaxhimit të performancës që është elektronike dhe çdo lëvizje do shënohet në sistem, me mundësi auditimi po ashtu në çdo kohë.