Ibrahim Makolli - FOTO arkiv - kallxo

Makolli nga Kizhevaku: Jemi duke pritur përgjigje nga Serbia edhe për 11 lokacione

Kryetari i Grupit Punues të Delegacionit të Kosovës për Persona të Zhdukur, Ibrahim Makolli, ka bërë të ditur se dy personat e identifikuar në Kizhevak të Serbisë janë të masakrës se Rezallës të Skenderajt.

“Tashmë dihet që ky lokacion ndërlidhet me varrezën masive të vitit 2014, nga e cila janë identifikuar 54 persona të masakrës së Rezallës të Skenderajt. Ka një ndërlidhje nga dy personat e identifikuar dhe është parë që takojnë Masakrës së Rrezallës”, tha Makolli në përmbylljen e procesit  të zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë në Kizhevak të Serbisë.

Ai theksoi se kjo gjë tregon se ka pasur planifikim të mirë në zhdukjen e kufomave.

“Pra, nga kjo që mësojmë se ka pasur një planifikim të mirë nga autoritet jo vetëm për vrasjen  por edhe për zhduken e kufomave dhe kjo dëshmon  që janë sjellur në territorin e Serbisë”, tha Makolli.

Makolli bëri të ditur se janë duke pritur nga autoritet serbe edhe për 11 lokacione të tjera, që dyshohet se janë disa persona të vrarë.

“Vazhdojmë të kemi mbi një 1600 persona të zhdukur për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dihet. Ka edhe një numër të lokacioneve të dyshuara në Serbi që besojmë se do të trajtohen në muajt dhe javët e ardhshme. Sipas zyrtarëve serbë ka dyshime për 16 varreza masive të të vrarëve dhe masakruarve dhe ky është lokacioni i pestë. Ne kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera që mund të ketë trupa të të vrarëve”, është shprehur Makolli më tej.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur sot se është përmbyllur procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Sipas njoftimit për media, në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë identifikuar, përmes ADN-së.

Më 5 maj, në Kizhevak të Rashkës në Serbi, kishin rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Gërmimet e para në varrezën masive të Kizhevakut, janë bërë në fund të vitit të kaluar. Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.