Katedralja “Zonja Ndihmëtare’. Foto: Facebook/MKRS.

Institucionet gërmojnë në oborrin e katedrales në Prizren

Një grup arkeologësh vendas dhe të huaj kanë nisur gërmimet në oborrin e Katedralen “Zonja Ndihmëtare” në Prizren.

Qëllimi i këtyre hulumtimeve është të definohen të gjitha shtresat arkeologjike që ndërlidhen me historikun e katedrales.

Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se punimet në këtë lokalitet arkeologjik kanë nisur në fillim të këtij muaji dhe do të zgjasin 60 ditë.

Rexha ka thënë se qëllimi i hulumtimit, gërmimit dhe masave konservuese është plotësimi me të dhëna historike i lokalitetit arkeologjik-lokalitetit në hapësirën dhe objektin e  Kishës Katolike ‘Zonja Ndihmëtare’ në Prizren.

Sipas tij, nga viti 2019 i hulumtimeve, edhe më herët janë evidentuar struktura arkitektonike – arkeologjike dhe shtresa kulturore arkeologjike që datojnë nga periudha e mesjetës së hershme.

“Do të punohet në qartësimin e shtresave kulturore dhe konservimet e strukturave arkitektonike dhe trajtimi i materialit të lëvizshëm, analiza e gjetjeve e deri te hartimi i Raportit Final të punëve”, ka thënë drejtori Rexha, për KALLXO.com.

Gërmimet në këtë lokacion janë duke u bërë në kuadër të  projektit të IAK-së, ’Vazhdim i hulumtimeve dhe konservimit të strukturave të gjetura në dy fazat (2019 dhe 2021) në Kishën Katolike ‘Zonja Ndihmëtarë’.

Gërmite janë duke u realizuar nga IAK në bashkëpunim me Universitetin e Zarës në Kroaci dhe në partneritet me “CHwB Kosova”.

Katedralja “Zonja Ndihmëtare’. Foto: Facebook/MKRS.