Gjenden mbetej mortore në Prekaz të Poshtëm

Policia e Kosovës ka njoftuar se në një lokacion në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt janë gjetur mbetje mortore të gjashtë personave, e që dyshohen të jenë nga lufta e fundit.

Sipas policisë, gjatë gërmimeve-kërkimeve, janë hasë disa mbetje mortore (gjetje eshtërore) që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit.

“Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit” – thuhet në njoftimin e policisë.

Hulumtimet në këtë lokacion, sipas njoftimit konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, por, siç thuhet më tej në njoftim, puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera.

Policia u bën thirrje të gjithëve që kanë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.