Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV premton funksionalizimin e tri shtëpive të kulturës në komunën e Obiliqit

Kandidati për kryetar të Obliqit, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar në Debat Pernime se do t’i funksionalizojë 3 shtëpi të kulturës në Obiliq.

“Në komunën e Obiliqit ekzistojnë tri shtëpi të kulturës, përveç asaj ‘ Xhavit Haziri’ në qytet. Ne si LVV kemi menduar që t’i funksionalizojmë tri shtëpi të kulturës; në Milloshevë, Plemetin dhe Babimoc duke emëruar menaxher për çdo shtëpi të kulturës, dhe do të ndajmë një fond për kulturë, rini dhe sport me 500 mijë euro në vit”, theksoi ai në Debat Pernime.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Obiliqit: Ajet Berisha nga Lëvizja për Bashkim; Halil Thaçi nga LVV; Hanefi Musliu nga PDK; Mehmet Krasniqi nga LDK; Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Xhelal Krasniqi nga AAK. Gjithashtu kandidat për kryetar të Obiliqit është edhe Goran Danqetoviq nga Lista Serbe por i njëjti nuk ka ardhë në debat.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Obiliqit: Adelina Isufaj nga AKR; Anita Krasniqi nga AAK; Elza Krasniqi nga LVV; Lendita Bekteshi Memishi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq; Linda Sadiku Krasniqi nga LDK dhe Nora Preniqi nga Lëvizja për Bashkim.