LVV: Nuk jemi kundër asnjëlloj hetimi për menaxhimin e situatës me pandeminë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në seancën e sotme të Kuvendit ka përsëritur se kjo parti e përkrahë formimin e Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti.

Selimi shtoi se këtij komisioni do t’i vazhdojnë t’i ofrojnë bashkëpunim maksimal.

“Edhe atëherë, edhe sot nuk jemi kundër asnjëlloj hetimi, qoftë edhe ai parlamentar. Ky komision vetëm sa na bën nder dhe në fund besoj se do të dalë me rezultate të hetimit të tij objektive dhe profesionale”, tha ai.

LVV-ja ka propozuar që këtë komision ta përbëjnë deputetët, Labinotë Demi-Murtezi, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Mimoza Kusari-Lila.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha në seancën e sotme ka prezantuar kërkesën e partisë së saj lidhur me propozimin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas Hoxhës, shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së Agon Musliut nga Gjilani në karantinën në Qendrën e Studentëve, duhet të zbardhen.