Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV: Në vitin 2022 në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 102 projektligje

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes në një konferencë për medie ka bërë prezantimin e punës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjatë vitit 2022.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila tha para mediave se përgjatë këtij viti Kuvendi ka mbajtur 56 seanca plenare dhe 466 mbledhje të komisioneve parlamentare dhe aktivitete tjera.

“Nga 56 seancat plenare që janë mbajtur, 40 kanë qenë seanca të rregullta të kuvendit, 13 seanca të jashtëzakonshme, 3 kanë qenë seanca solemne dhe një seancë e përbashkët e dy kuvendeve, i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”- tha ajo.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet tha se në seancat e mbajtura në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 102 projektligje të miratuara dhe të përmbyllura, përderisa 49 projektligje aktualisht janë në procedurë.

Ajo tutje theksoi se gjatë këtij viti Kuvendi i Kosovës ka miratuar për herë të parë buxhetin më të madh në Republikën e Kosovës.

“Në vlerën prej 3.2 miliardë eurove, por gjithashtu ka qenë buxhet i miratuar në afatet e parapara sipas rregullores së re të punës së kuvendit” – tha Kusari- Lila.

Ajo përmendi edhe projektligjet që e ofrojnë Kosovën në rrugën e integrimit evropian.

“Ligjet me prioritet për agjendën evropiane që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës janë Kodi i Procedurës Penale, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e partive politike, projektligji për deklarimin e origjinës dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publik, projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura” – tha Kusari- Lila.

“Gjithashtu, projektligje tjera në agjendën evropiane të miratuara janë ai për metalet e çmuara, për inspektimet e përgjithshme, për gjykatën komerciale, projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, projektligji për ujërat e Kosovës, projektligji për mbeturina, projektligji për mbrojtje nga konkurrenca, projektligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe ligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës” – shtoi Kusari Lila, teksa përmendi se në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare janë katër marrëveshje të ratifikuara mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në anën tjetër deputeti, Adnan Rrustemi nga radhët e LVV-së u shpreh se në legjislaturën aktuale po bëhet puna më e mirë krahasuar me legjislaturat e kaluara.

“Është puna më produktive që është bërë ndonjëherë në kuptimin e miratimit të ligjeve në të gjitha legjislaturat e kaluara të kuvendit të Kosovës” – tha Rrustemi.

Sipas tij, puna kryesore në Kuvend është ajo që bëhet nëpër komisione që shpeshherë jo mjaftueshëm është publike.