LVV e LDK polemizojnë në Kuvend

Ushtruesi i Detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka shprehur shqetësim lidhur me gjendjen e shëndetësisë në vend.

Ai e quajti katastrofë shëndetësore mungesën e oksigjenit për pacientë.

“Si mund të duket ndryshe katastrofa shëndetësore përpos se kur spitalet e vendit në mes të pandemisë nuk kanë oksigjen medicional për pacientët. A është kjo kulmi, që thuhet se nuk ka ku shkon më keq. A është kjo ajo që na paralajmëroi Hoti para një muaj e gjysmë se nuk keni parë gjë akoma. A jeni tu e parë tani atë gjënë”, tha Aliu.

Aliu tha se për 6 muaj asnjë bord nuk është zgjedhur e asnjë kryeshef ekzekutiv.

“Pati bllokim të llogarive bankare, Postës, Trepçës, Telekomit, e këtë të fundit për llogari të Devollit. Për të vijuar pastaj me zotimet që pezulluan shtetësinë, vunë në pazar Ujmanin, barazuan të pagjeturit me të zhvendosurit, e për ne gënjyen me gjoja miliarda investime dhe i premtuan dy projekte drejt Adriatikut të Serbisë në mënyrë që Mini-Shengeni të jetë tërësisht i kompletuar”, tha Liburn Aliu.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se shëndetësinë e kanë marrë nga qeverisja Kurti, të cilët sipas tij e mbyllën vendin kur kishe vetëm dhjetëra raste.

“E çuat vendin drejt kolapsit”, tha ai.

“Po shohim modelin të cilin e keni ndërtuar ju. Modelin e Prishtinës, i paaftësisë, i korrupsionit, Prizrenin, të paktën 6 drejtorë nën akuza për korrupsion”, tha Gashi.

Gashi e quajti Liburn Aliun si përfaqësues i moralit të pavërtetës dhe gënjeshtrës në Kuvend duke tentu sipas tij monopolizimin e popullit dhe të vullnetit, duke tentuar marrjen e autorizimit dhe autoritetit të përfaqësuesit legjitim të përjetshëm dhe përhershëm.

“Ne kemi një rezultat zgjedhor të certifikuar dhe autorizuar. Demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor dhe jo mbi pretendimet e demokracisë Facebbok-iane të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit me qëllime edhe kriminale. Demokracia është sport edhe më i rëndë. Aty ku patët pak përgjegjësi abuzuat. Abuzuat me ulësen e kryetares së kuvendit duke e çuar kuvendin drejt konfliktit, abuzuat me mikrofonin e Kuvendit duke pretenduar përfaqësimin autentik të popullit 25 përqind. Ku është 75 përqindëshi tjetër”, tha Gashi.