Lushtaku: Njerëz të lidhur me laboratorë të drogës gjenden nëpër ministri (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka pretenduar se persona që përfaqësojnë shumë familje që janë të lidhur me laboratorë të drogës, gjenden nëpër ministri.

Ai për të njëjtit ka thënë se janë në Ministri të Drejtësisë e në atë të Punëve të Brendshme.

“Dëgjuam edhe nga deputetë e këtij Kuvendi që lëvduan mbylljen e çdo laboratori të drogës. Njerëzit që përfaqësojnë shumë familje që janë të lidhur me laboratorë të drogës, janë në Ministri të Drejtësisë e në Ministrinë e Punëve të Brendshme” – ka thënë Lushtaku.

Kryeministri Albin Kurti në kohën e pyetjeve parlamentare ka cekur, sipas tij disa prej të arrituarave të Qeverisë duke përfshirë edhe operacionet policore.

Ai ka thënë se në mesin 3200 personave të arrestuar në këto operacione policore, 10 përqind janë zyrtarë publikë.

“Nga fillimi i mandatit janë realizuar mbi 850 operacione policore, mbi 3200 perosna të arrestuar prej tyre 10% janë zyrtarë publik, 69 grupe kriminale janë shkatërruar, mbi 1.8 ton substancë narkotike janë konfiskuar dhe mbi 14 milionë euro janë ngrirë dhe duhet edhe shumë angazhim dhe vullnet që proceset të shkojnë deri në fund” – ka thënë Kurti.

Me 12 shkurt, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor anti-drogë në Mitrovicën e Veriut, nga i cili janë zbuluar tri laboratore të drogës dhe janë arrestuar dy persona të nacionalitetit serb.