Ilustrim - Gaza

Lufta Izrael - Hamas: Rreth 1.9 milion njerëz vlerësohet të jenë zhvendosur nga shtëpitë e tyre

Gjithsej 23 mijë e 357 palestinezë janë vrarë dhe 59 mijë 410 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, thuhet në një njoftim të lëshuar nga ministria e shëndetësisë e Gazës.

Ministria në fjalë, e cila udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se 147 palestinezë u vranë dhe 243 u plagosën në 24 orët e fundit.

Rreth 1.9 milion njerëz ose gati 85% e popullsisë totale të Gazës, vlerësohet të jenë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Vetëm 15 nga 36 spitalet e Gazës janë pjesërisht funksionale. Treqind e tridhjetë palestinezë janë vrarë gjithashtu në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli gjatë së njëjtës periudhë, duke përfshirë 84 fëmijë, dhe rreth 4,000 njerëz janë plagosur nga forcat izraelite të sigurisë gjatë asaj kohe.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë do të fillojë të dëgjojë argumentet sot me pretendime se Izraeli po kryen gjenocid në luftën e tij në Gaza.

Afrika e Jugut, e cila e ka paraqitur çështjen në gjykatën më të lartë të OKB-së, po i kërkon GJND-së të veprojë urgjentisht “për mbrojtje kundër dëmeve të mëtejshme, të rënda dhe të pariparueshme ndaj të drejtave të popullit palestinez sipas konventës së gjenocidit, i cili vazhdon të shkelet pa u ndëshkuar“.

Izraeli ka reaguar me frustrim duke shtuar se po vepron në vetëmbrojtje, për të mbrojtur izraelitët duke e shkatërruar Hamasin.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar në favor të miratimit të një rezolutë të hartuar nga SHBA dhe Japonia për të kërkuar fundin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq nga rebelët Houthi. Këshilli i Sigurimit votoi kundër amendamenteve të propozuara nga Rusia që do të kishin dobësuar rezolutën. Votimi kaloi me 11 vota pro, zero kundërshtime dhe katër abstenime, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Algjerinë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po përgatitet të udhëtojë në Egjipt për më shumë bisedime që kanë si qëllim frenimin e luftës së Izraelit në Gaza. Diplomati i lartë amerikan do të takohet me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në Kajro.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka postuar në rrjetin social X pikëpamjet e tij për të ardhmen e Gazës duke i zgjeruar pikëpamjet e tij se Izraeli nuk ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Gazën ose të zhvendosë popullsinë e tij civile. Sipas tij Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze dhe po e bën këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se ka pothuajse “pengesa të pakapërcyeshme” për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke thënë se situata ishte “e papërshkrueshme”.

Sipas tij, gjashtë misione të planifikuara në veri të Gazës janë anuluar sepse Izraeli i ka refuzuar kërkesat dhe nuk ka dhënë garanci për kalim të sigurt, duke shtuar se një mision i planifikuar për sot gjithashtu duhej të anulohej.

Ushtria izraelite, IDF, e ka njoftuar vdekjen e një tjetër anëtari të trupave izraelite brenda Gazës, duke e çuar numrin total të ofensivës tokësore në 186. Ushtria izraelite ka thënë se 1065 ushtarë të saj janë plagosur në Gaza. Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake pas sulmit të papritur të Hamasit të 7 tetorit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 njerëz. Rreth 240 persona janë marrë pengje. Rreth 130 besohet se janë ende në robëri.

Ushtria izraelite pretendon se ka “zbuluar më shumë se 15 boshte tunelesh nëntokësore në zonën” e Maghazi në Gazën qendrore, ku thotë se trupat e saj drejtuan sulmet ajrore që vranë “disa terroristë”. Në Khan Younis, ushtria izraelite pretendon se “në betejat në zonë gjatë ditës së fundit, dhjetëra operativë terroristë u vranë nga trupat e IDF”, duke shtuar se “gjithsej rreth 150 objektiva terroristë u goditën nga trupat IDF gjatë ditës së fundit”. Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala