Lista Serbe: Targat 'KM' mbesin, atyre do t'u zgjatet regjistrimi pa ndërprerje

Dje në mbrëmje, pas një takimi që zgjati disa orë e diskutimeve mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak, u dha lajmi se u arrit një marrëveshje për targat.

Lista Serbe gjatë ditës së sotme ka thënë se i është gëzuar marrëveshjes së arritur në Bruksel duke konfirmuar se targat “KM” mbesin dhe askush nuk do t’i heq ato apo të shqiptojë gjoba për të njëjtat targa.

“Duam të informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund të zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit të KM si më parë”- thuhet në deklaratën e Listës Serbe të publikuar në faqen e tyre zyrtare.

Sipas LS, të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të përdorin dhe zgjasin regjistrimin për automjetet me targa KM pa ndërprerje.

Të njëjtit kanë konfirmuar se targat ekzistuese mbeten dhe do të mund të zgjerohen ndërsa të reja nuk do të lëshohen tani për tani.

“Kujtojmë se qëndrimi ynë ka qenë që të mbajmë targa KM, të mos ua heqim pronën qytetarëve, të mos shkruajmë penalitete dhe as t’u pamundësojmë lirinë e lëvizjes. Kemi kërkuar që të mbesin targat KM, jo të rritet numri i tyre” – thuhet në fund të njoftimit.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, janë takuar dje në Bruksel në një përpjekje për të gjetur zgjidhje në lidhje me çështjen e targave të automjeteve të përdorura nga serbët e Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, më 21 nëntor do të duhej të fillonte zbatimi i fazës së dytë – ajo e gjobitjes së pronarëve të automjeteve me targa, të cilat autoritetet e Kosovës i cilësojnë si ilegale.

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar një kërkesë të ardhur nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë për të shtyrë për 48 orë fillimin e zbatimit të gjobitjes së pronarëve me targa të tilla, në mënyrë që të vazhdonin bisedimet për të gjetur një marrëveshje për këtë çështje.

Bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, më 21 nëntor, kanë përfunduar pa marrëveshje. Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, kishte fajësuar Kurtin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.