Ligji për zyrtarë publikë, Lushtaku tregon një 'mesele' për pushkatimet dhe dhunimet gjatë Luftës së dytë botërore

Në Komisionin që ishte thirrur për të shqyrtuar në parim Projektligjin për zyrtarët publikë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, tregoi një “mesele” e cila ndërlidhet me krimet që janë kryer gjatë Luftës së dytë botërore.

Lushtaku i tha ministrit Xhelal Sveçla se me këtë ligj “i kanë pushkatuar zyrtarët publikë”.

“Në një kohë kur gjyshi i tregon nipit të vet për luftën e dytë botërore sa e vështirë ishte dhe si i ka shpëtuar luftës. I thotë nipit të vet “nipi im disa i pushkatojshin e do i përdhunojshin” edhe kur nipi e pyeti gjyshin “e ty gjysh a të pushkatuan a të përdhunuan”. I ra ndërmend se cfarë kishte thënë i tha “jo mu më kanë pushkatu”. Edhe ti [Xhelal Sveçlës] me këtë ligj bashkë me Qeverinë Kurti i keni pushkatu të gjithë zyrtarët publik. Sepse ne përgjegjësi kemi shkelje flagrante” – tha deputeti Lushtaku në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk ka kohë për mesele.

Dhe sipas tij, përfshirja e zyrtarëve publikë në këtë “mesele” është fyese dhe e padrejtë.

“Disa jo po shumica, unë i them se nuk kam vakt për mesele. Por derisa na jemi në qeverisje, administrata publike do të punojë, do të ketë vakt për mesele. Unë kam qenë deputet, deputetet e kanë pak atë lluks. Me i kategorizu administratën publike si një prej grupeve më të rëndësishëm të shoqërisë sonë, nëpër mesele, edhe fyese mendoj që nuk është e drejtë. Nuk është në rregull as me keqpërdorë tragjedinë familjare po shoqërore, nuk është e çuditshme” – u shpreh Xhelal Sveçla.

Pas miratimit më datën 23 nëntor në Qeveri, projektligji për pagat për sektorin publik do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Ende nuk dihet sa është koeficienti i pagës në projektligjin e ri.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend duke kërkuar rritje të rrogës 100 euro për të gjithë punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga dhe disa kërkesa të tjera.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.