Labinot Leposhtica - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Leposhtica: Qendrat korrektuese në Kosovë nuk kanë programe të individualizuara për kryerësit e veprave penale

Zyrtari ligjor i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, Labinot Leposhtica ka thënë se qendrat korrektuese në Kosovë nuk kanë programe të individualizuara për kryerësit e veprave të ndryshme.

Këtë ai e tha në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u trajtua rasti i 11-vjeçares, e cila dyshohet se ka qenë viktimë e dhunimit seksual dhe trafikimit.

“Nuk isha befasu nëse stigmatizohet ose nëse nuk i ofrohet trajtimi i duhur psikosocial dikujt në qendrat korrektuese në Kosovë. Nuk kanë programe të individualizuara për kryrës të caktuar…” – ka thënë Leposhtica.

Ai ka përmendur se kryrësit e veprave penale kthehen si kryes potencial të veprave të tilla apo të ngjashme si pasojë që ata nuk kthehen nga qendrat korrektuese si persona të risocializuar.

“Kjo vërehet edhe në shumë fusha të tjera aq më shumë në një situatë të tillë ku siç e thamë stigmatizohet viktima, stigmatizohet raportuesja, nuk besoj që përjashtohet edhe kryesi këtu prej stigmatizimit, por këto janë defekte strukturore të institucioneve tona korrektuese dhe sprovuese çka konsideroj që pastaj na kthehen si bumerang në një të afërme të afërt ku këta persona edhe pse kalojnë në krejt zingjirin tonë korrektues prapë se prapë nuk kthehen të risocializuar dhe janë kryes potencial të veprave nëse jo të ngjashme, të veprave penale” – është shprehur Leposhtica.

Një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga pesë persona më 27 gusht të këtij viti.

Më pas, në pah doli se e njëjta ishte raportuar si e zhdukur në muajin qershor e më pas është evidentuar se e mitura dyshohet se u dhunuar dhe trafikua edhe më 21 qershor nga 6 persona të ndryshëm.

Për 11 personat e dyshuar është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.