Lekaj vendos letra me pagën vjetore të deputetëve të LVV-së që nuk shkojnë në Komision për rezervat shtetërore

Mbledhja për konstituimin e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore ka dështuar për të gjashtën herë me radhë, për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fillim të mbledhjes, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka vendosur postera me pagën vjetore të deputetëve të LVV-së, në karriget e tyre.

Kryetari i komisionit, Rashit Qalaj nga PDK-ja, ka thënë se nuk kanë marrë ndodnjë sqarim prej LVV-së për të arsyetuar mungesën e tyre.

“Kjo është tentativa e gjashtë për konstituim dhe prapë mungojnë deputetët e LVV-së. Nuk kemi ndonjë sqarim pse. Te gjitha komisionet tjera janë duke funksionuar, ata nuk vijn vetëm këtu. Shtohet pyetja pse, sepse ëahtë i vetmi qe po merret me keqpërdorimin e rezervave”- tha Qalaj.

Qalaj shpjegoi se kanë dërguar një letër në zyrën ligjore të Kuvendit, për të dhënë një interpretim për këtë mungesë, por që sipas tij kanë marrë një opininon që nuk sqaron asgjë por që “e shton konfuzitetin”.

Deputeti Lekaj teksa u shpreh se deputetët e shumicës kanë vendosur politikisht të mos vijnë në komision, ai shpjegoi edhe idenë pas aksionit simbolik.

“Po shihet qartë qe ata kanë vendosur politikisht të mos vijnë në këtë komision. Edhe pse është votuar në Kuvend. Mirëpo ja që nuk po janë në nivel te detyrës unë kam vendosur sot në mënyrë simbolike me tregu sa i kanë pagat”- tha Lekaj.

Pas një debati disaorësh, që u përcoll me akuza e kritika, si nga opozita por edhe pozita, Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Që nga votimi në Parlament, mbledhja për të konstituuar këtë komision është thirrur gjashtë herë. Përpjekjet për ta konstituuar kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.

Mungesa e deputetëve të LVV-së është kritikuar si nga opozita ashtu edhe nga organizata që merren me monitorimin e punës së Kuvendit.

Anëtarët LVV-së në këtë komision, në një përgjigje për KALLXO.com, kanë arsyetuar mos-ardhjen në komision, si shkak i vendimit të opozitës për të mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Pushteti kritikohet për bllokimin e konstituimit të komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore