LDK sqaron se çka u bisedua në takimin e sotëm Kurti- Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas takimit të sotëm mes drejtuesve të saj dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një njoftim, LDK thotë se në takim ka shpalosur qëndrimet e saj “tashmë të njohura dhe publike për opinionin”.

“Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”, thekson LDK.

Se takimi ka përfunduar pa marrëveshje njoftoi edhe LVV, e cila tha se nesër do të mbahet një takim tjetër në të cilin të pranishëm do të jenë edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhet në reagim.

Takimi i sotëm i drejtuesve të dy partive politike, të cilat kanë dalë të parat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ishte në vazhdën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Eksponentë të dy partive kanë deklaruar sot se janë shumë afër arritjes së marrëveshjes.

Ndërkohë, për Albin Kurtin, si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, ora ka filluar të ecë së prapthi.

Përfundon takimi Albin Kurti – Isa Mustafa

www.kallxo.com