Albin Kurti tregon kur pret nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion me LDK-në

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se me Isa Mustafën e LDK-së janë marrë vesh që një orë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ të ulen për nënshkrimin e marrëveshjes qeverisëse.

Ai njoftoi po ashtu se edhe sot ka pasur një takim në mes të grupeve punuese për harmonizimin e programit LVV-LDK.

“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së, me këtë rast në të njëjtën kohë patëm edhe një takim të grupeve tona që po e harmanizojnë programin tonë qeverisës”, tha ai të premten para gazetarëve.

“Në këtë takim ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morën vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të takohemi në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre0 katër ditëve pastaj”, deklaroi Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Vetëvendosje.

“Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve me ç’rast ftesa ime e përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është tashmë e dhënë se një orë pas certifikimit  të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve apo më pak se 100 orë marrëveshjen e koalicionit tonë qeverisës”, nënvizoi Kurti.

Ai tha se deri më tani, programi i përbashkët për qeverisje ka 26 faqe. Sipas tij, takimet e grupeve punuese kanë sjell një kulturë të re në politikën kosovare.

“Ndërkohë do të vazhdojnë takimet sikur ky që është duke ndodhur në këto çaste për harmonizimin e programit qeveri sisë. Deri më tani ky program i ka 26 faqe tekst. Ne kemi treguar një kultrë të re të bashkëpunimit. U dakorduam për një tempo të re”, tha në fund ai.