Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK premton hapjen e shkollave digjitale në shtatë regjione të Kosovës

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Frashër Demaj, ka thënë se kjo parti do të bëjë shumë punë në arsim.

Sipas tij të gjitha shkollat e Kosovës do të pajisen me internet, në të gjithë Kosovën, qysh në vitin e parë të qeverisjes.

“Do të hapim shkolla digjitale në shtatë regjione të Kosovës, në mënyrë që të ecim gradualisht në arsimin cilësor dhe ta bëjmë arsimin e Kosovës të krahasueshëm jo vetëm me shkollat e rajonit, por edhe me vendet e Bashkimit Evropian, kjo është e mundshme dhe e arritshme sepse LDK ka personalitete të arritshme”, ka thënë Demaj.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV Lista e Vjosës, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane PLE dhe Qerim Bajrami nga Vakat.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.