Reçak - memorial complex

Historianët i reagojnë Aleksandar Vulin pasi e quajti "gënjeshtër" masakrën e Reçakut

Këmbëngulja e ministrit të Brendshëm serb se masakra e Reçakut e vitit 1999 është “një gënjeshtër e madhe” është pjesë e një politike të qëllimshme të ndjekur nga Beogradi për të ndryshuar historinë, thonë historianët.

Historianët e Kosovës kanë reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili javën e kaluar masakrën e Reçakut të janarit 1999 e quajti si një “gënjeshtër të madhe dhe një trillim të jashtëzakonshëm”.

Historiani, Jusuf Buxhovi thotë se deklarimet e zyrtarëve serb janë të pritshme. Sipas tij, historia nuk mund të ndryshohet pas ndërhyrjes së NATO-s dhe shpalljes së pavarësisë nga Kosova, por, thotë ai, Serbia ka një plan më afatgjatë.

“Natyrisht se Serbia, e ballafaquar me ndërhyrjen ndërkombëtare, nuk mund të ndryshojë këto realitete, meqë në planin historik ato janë irevizibile”, thotë Buxhovi.

“Por,  më kalimin e kohës, ka hetuar se  në planin politik mund të ndikojë, që rolin e agresorit ta amortizojë ose ta anashkalojë fare deri te përmasat e aktrimit të viktimës, në saje të politikës së papërgjegjshme të Kosovës”, vlerëson historiani.

Sipas Buxhovit, me mohimin e historisë nga Serbia duhet të merret Kosova.

“Mohimi i historisë (i etnocideve dhe gjenocideve) nga ana e Beogradit,  është më shumë problem yni, të ndryshimit të statusit të viktimës me atë të fitimtarit! Beogradi po e shfrytëzon maksimalisht këtë mashtrim tonin për qëllime të veta”, thotë ai.

Ndërsa, historiani tjetër, Frashër Demaj, deklarimet e Vulin po i quan si të pamatura dhe të pabesueshme. Ai tha se Serbia për arsyet e saj politike po mundohet ta fshehë masakrën e Reçakut. Demaj, i cili është anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, thotë se s’ka dyshim që masakra e Reçakut ka ndodhur.

“E para që duhet ta themi është se në Reçak ka pasur masakër sepse kanë qenë forcat e organizuara policore dhe ushtarake, madje edhe njësitë e specializuara të komanduara nga oficerët serb”, thotë ai.

“Nuk asnjë dyshim, sado që Serbia mundohet ta fsheh këtë për arsye të veta politike”, deklaron për BIRN Frashër Demaj.

Për historianin Frashër Demaj, Serbia dëshiron të paraqitet si paqësore për të arritur synimet e saj në disa nisma rajonale, siç është çështja e “Open Ballkan”.

“Kualifikimet e politikës serbe për masakrën e Reçakut dhe masakrat e tjera është një tendencë për shfajësim”, thotë Demaj. Ai thotë se “këto deklarata sa janë të pamatura janë edhe të pabesueshme, jo vetëm për opinionin kosovar që i ka përjetuar vetë por edhe për diplomacinë ndërkombëtare”.

Sipas tij, historia e njehë Serbinë si nismëtare të luftërave në Ballkan, në Slloveni, Kroaci, Bosnje Hercegovinë e në Kosovë.

Për tu ballafaquar me këtë situatë, Buxhovi propozon që Kosova të ketë një qëndrim koordinuar me ndërkombëtarët. Në të kundërtën, thotë ai, kjo mund të kthehet në një problem serioz.

“Diskursi i fajsim ç’fajsimeve, si ndjekje apo përgjigje ndaj propagandës së Beogradit, jo vetëm që nuk ndihmon, po mund të kthehet edhe në problem serioz , ngaqë për njëzet vjet , politika e Kosovës, faktet historike të shumtën i ka shfrytëzuar për favore antihistorike”, ka vleresuar Jusuf Buxhovi.

Deklarimeve të ministrit serb, Vulin, i kanë kundërshtuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se masakra e Reçakut është e “dëshmuar”.

Ministri i Brendshëm serb, Alleksandar Vullin ka reaguar më 11 dhjetor ndaj kritikave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë.

Vullin tha se “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.

Forcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.

Kjo masakër paraqiti momentin kryesor në vendimin e NATO-s që të nisë intervenimin ajror ushtarak ndaj asokohe, Republikës Federale Serbe (SRJ), për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.

Të shtunën më 11 dhjetor, ministri serb, Alleksandar Vullin përmendi që është krenar, siç tha, që “është pjesë e luftës për të vërtetën”.

“Jam i gatshëm që për këtë të paguaj çmimin edhe politik edhe personal. Koka ime është çmim i vogël për të drejtën e serbëve që për shkak të gënjeshtrave të të tjerëve të mos turpërohen para fëmijëve të vet”, tha Vullin.

Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë, së fundmi janë duke bashkëprodhuar një serial me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

Ky artikull fillimisht u  publikua në Prishtina Insght.