Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK, ndarja e tretë

“Në këto zgjedhje Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë edhe më e fuqishme”. Kështu ka thënë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në ditën kur kjo parti festoi 31-vjetorin e themelimit, më 23 dhjetor.

Ndonëse, LDK, në krye me Mustafën që prej një dekade, nuk doli asnjëherë e para në zgjedhjet parlamentare.

Në fakt, e para nuk ka dalë asnjëherë që nga vdekja e liderit të saj shpirtëror, Ibrahim Rugova, më 2006.

Nga ai vit, LDK u përball me përplasje të forta por edhe ndarje.

Ndarja mes partisë më të madhe deri në atë kohë nuk ishte e para.

Ndarja e parë në LDK erdhi në rrethana të jashtëzakonshme, kur në vitin 1998, Rexhep Qosja formoi partinë e tij politike, Lëvizjen për Bashkim Demokratik (LBD). Shumë ish të burgosur politikë dhe intelektualë lanë LDK-në për t’iu bashkuar atij.

E ndarje tjetër erdhi në vitin 2006, kohë kjo kur luftohej për të parin e LDK-së mes Nexhat Dacit dhe Fatmir Sejdiut. Nga përplasjet që ndodhën në kuvendin e saj, i njohur si “kuvendi i karrigeve”, partia u nda më dysh.

Në këtë kuvend, votat i mori Fatmir Sejdiu e kjo i hapi rrugë Dacit që të themelojë një parti të re politike, Lidhja Demokratike e Dardanisë, ashtu siç i referohej Kosovës presidenti Rugova.

4 vite pas, në krye të partisë erdhi Isa Mustafa, i cili ia zuri vendin Fatmir Sejdiut. Por, as Mustafa nuk do të ikë nga ky post pa e pasur edhe një ndarje në parti.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot është duke u ballafaquar me një ‘çarje’ të mundshme, veçse tani për kauza të ndryshme.

Ish-nënkryetarja e LDK-së dhe ish-kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re.

Kjo pasi LDK-ja, në muajin qershor, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë dhe nga funksionet e tjera partiake, duke argumentuar se Osmani ka shkelur statusin e partisë kur është shprehur kundër Qeverisë Hoti.

E disa anëtarë të LDK-së janë duke kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Për këto zhvillime brenda LDK-së njohësit e çështjeve politike në vend nuk ndajnë mendime të njëjta, kurse për anëtarët e Kryesisë, këto zhvillime nuk e ndajnë LDK-në.

Beqaj: LDK mund të ketë një përfundim të kobshëm

Analisti i çështjeve politike, Belul Beqaj, thotë se në këtë situatë, LDK mund të ketë një përfundim të kobshëm.

“LDK është një situatë specifike dhe mund të ketë një përfundim të kobshëm dhe mund të ketë një përfundim i cili nuk do të ketë fundin e vet. Mes këtyre dy çështjeve mendoj se s’dihet cila është më e keqja, ndoshta është më mirë të ketë përfundimin e kobshëm, për shkak se këndellet më shpejt sesa të vazhdojë dënimi i pafund”, thotë ai.

Sipas tij, iniciativa e Vjosës do të reflektojë në ndarjen e një pjesë të anëtarësisë.

“Natyrisht kjo temë nuk është e njëjtë si në kohën e Nexhat Dacit dhe është shumë më i favorshëm këtë herë pasi që Osmani ka mbetur besnike ndaj elektoratit të vet dhe ndarja ka qenë për hatër të besnikërisë dhe besës që ia ka dhënë dhe jo mashtrimit”, thotë Beqaj.

Beqaj thekson se në këtë rast Osmani nuk ka tradhtuar votuesit e saj.

“Sikur ajo të ishte mashtruese karshi premtimeve që ajo i ka dhënë ndaj elektoratit mund të themi se nuk do të kishte suksesin që e pret ajo. Por, në anën tjetër për faktin që thjesht në lidhje të ngushtë me votuesit e saj ajo e ka tradhtuar ndoshta Isa Mustafën dhe Agim Veliun, por nuk e ka tradhtuar votuesin që kanë votuar për të”, thotë më tej për KALLXO.com Beqaj.

Në fund, njohësi i çështjeve politike thotë se në këtë situatë, liderët e LDK-së ose nuk janë të vetëdijshëm ose nuk kanë gatishmëri që ta tejkalojnë veten.

“Nëse ata po mendojnë se e kanë pasë kryeministrin e mirë, nuk duhet me pasë hezitime duhet me pasë atë prapë kandidat për kryeministër, por ata janë të vetëdijshëm që s’e kanë kryeministrin  i cili mund të tërheq vota, por në anën tjetër nuk mund të vendosin askënd që do ta përdorin siç e kanë përdorur Vjosa Osmanin, kështu që po e them mund ta kenë përfundimin e kobshëm ose një formë të zhgënjimit të pafund”, ka sqaruar më tej Beqaj.

Latifi: Përçarja e LDK-së do t’i ndihmojë Vetëvendosjes

Ndërsa, profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, thotë se kjo përçarje e LDK-së do t’i mundësojë sukses Lëvizjes Vetëvendosje.

“Përçarja e krahut të luftës në vitin 2000 ia mundësoi LDK-së të marrë pushtetin dhe ta mbajë shtatë vjet atë. Përçarja e LDK-së në vitin 2007, ia mundësoj PDK-së të bëhet partia e parë në Kosovë dhe ta udhëheq vendin për shtatë vjet me radhë. Përçarja e dytë e LDK-së po ia mundëson tash Vetëvendosjes suksesin e PDK-së të vitit 2007”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Ai po ashtu thotë se LDK-së ka përçarje për shkak se që nga vdekja e ish-liderit, Ibrahim Rugova, nuk ka pasur një lider ‘atëror të partisë’.

“Pse LDK-së po i kushtojnë kaq shumë përçarjet e brendshme? Sepse pas Rugovës ajo nuk arriti asnjëherë të krijonte një lider atëror të partisë. PDK dhe VV i shpëtuan fatalitetit të përçarjes sepse liderët e tyre e kishin këtë lloj autoriteti atëror. Partitë politike në Kosovë ende funksionojnë me logjikën e vëllazërive fisnore, të cilat, sapo humbin babën, ndahen”, ka thënë në fund ai.

Haki Rugova: LDK nuk do të ndahet kurrë, kushdo le të dalë

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, në një bisedë për KALLXO.com tha se kjo parti nuk do të ndahet dhe nuk do të dobësohet asnjëherë.

Ai po ashtu është i mendimit se iniciativat e tilla si të Vjosa Osmanit nuk japin mesazhe se LDK është ndarë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ndahet, kushdo le të del prej LDK-së, nëse dikush del. Edhe me iniciativa të tjera nuk do të thotë se LDK është ndarë. LDK është LDK dhe është e përhershme dhe është partia e parë shqiptare dhe do të jetë e tillë. LDK nuk do të mund të dobësohet dhe do të jetë gjithmonë e qëndrueshme”, tha Rugova për KALLXO.com.

Partia e LDK-së aktualisht përveç ndarjes, që shumë kuadro kanë zyrtarizuar kalimin e tyre tek iniciativa e Vjosa Osmanit, po ashtu është duke u ballafaquar edhe me largimin e anëtarëve të kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Vendi së shpejti pritet të shkojë në zgjedhje pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se vota e deputetit Etem Arifi pro formimit të Qeverisë së drejtuar nga LDK ka qenë e pavlefshme.

Disa parti kanë zyrtarizuar kandidatët për kryeministër, por LDK të shtunën ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidat.

Nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, të shtunën deklaroi se janë duke i formuar disa kritere për të zgjedhur kandidatin për kryeministër dhe për deputetë, kurse, kryeministri aktual, Avdullah Hoti tha se brenda tre ditësh do të bëhet më dije se kush është kandidati i LDK-së për kryeministër.