Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK: Kosova vendi i fundit në Evropë për nga përqindja e të vaksinuarve

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësim lidhur me gjendjen e pandemisë në Kosovë.

Në këtë reagim ata kanë cituar disa fjali nga raporti 100 ditësh i qeverisë për situatën me COVID-19.

“Nga 781 raste kemi vetëm 9-të të reja sot. Natyrisht se sot, për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë, suksesi mund të merret si diçka e garantuar që do të ndodhte vetvetiu, por nëse e kthejmë shikimin vetëm 100 ditë mbrapa e kuptojmë dallimin që nuk është më pak se kontrast dhe ndryshimin që është më shumë sesa përmirësim”, thuhet në pjesën e fjalimit të raportit 100 ditësh të qeverisë që LDK përdori ne reagim.

LDK potencon se tani që kemi qindra raste të reja, kush e merr këtë përgjegjësi.

“Tani që për një ditë i kemi 352 raste të reja me COVID-19, kush merr përgjegjësinë? A është ndryshimi më shumë se përmirësim tani, apo perdja e një Qeverie populliste që merr merita për gjithçka ka rënë”, thuhet tutje në reagim.

LDK thekson se populizmi nuk do e ndal variantin ‘Delta’, por angazhimi serioz dhe vaksinimi.

Ata shtuan se tubimet kanë kontribuar në gjendjen ku jemi sot.

“Popullizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm “Delta”, por një qasje racionale dhe një angazhim serioz me vaksinim. Sot, në Kosovë janë vetëm 9% të vaksinuar. Me numrat e tanishëm Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë”, thotë LDK në komunikatën e tyre.

“Tubimet e mëdha, e të hapura, pa një vaksinim paraprak, i kanë kontribuar gjendjes së tanishme”, thuhet nga LDK”, thuhet tutje në reagim.

Sipas LDK-së, menaxhimin e pandemisë e bëri edhe më të vështirë largimi i rreth 650 anëtarëve të stafit të infermierëve nga klinikat që merren me trajtimin e pacientëve me COVID 19.