Mungesa e kritikës, filmat kosovarë nuk marrin vlerësim profesional

Sukseset e filmave kosovarë në festivalet ndërkombëtare janë duke u rritur gjithnjë e më shumë.

Shumë filma kosovarë kanë sjellë në vend çmimet kryesore nga shumë festivale prestigjioze ndërkombëtare, si “Sundance Film Festival”, Roterdamit, apo ai i Sarajevës.

Megjithatë në mungesë të kritikës, filmat kosovarë nuk marrin një vlerësim profesional, thonë njohësit e fushës.

Kineastët kosovarë kanë thënë për KALLXO.com, se për shkak të mungesës së kritikës, produksioni filmik kosovar mbetet pa marrë vëmendjen e duhur nga publiku.

Sipas tyre, interesimi i paktë i njohësve të fushës së filmit për tu marrë me kritikë, dhe hapësira për publikim, janë disa nga arsyet e mungesë së kritikës për filmin.

Vlerësimi miqësor

Regjisori Jeton Ahmetaj ka thënë për KALLXO.com se në mungesë të një kritike të mirëfilltë, ka tendencë të vlerësimeve të shpejta kritike për miq dhe të afërm.

Ai shton se kritikë filmin nënkupton analizë të thuktë të çdo segmenti të një vepre kinematografike.

“Zbërthimi i veprës kinematografike, vlerësimi i sektorëve të veçantë filmik, interpretimi, muzika, skenografia, regjia, kamera, të gjitha këto copëza filmike duhet të kenë një rekapitullim profesional. Duhet të vlerësohen dhe të analizohen kuadër për kuadër për të ardhur në një përfundim se një vepër kinematografike i ka arritur synimet”, ka thënë ai.

Mahir Musliu, regjisor, thotë për KALLLXO.com se filmat pas shfaqjes se premierës nuk gëzojnë vlerësim kritik, sepse mungojnë mediumet dhe profilet që merren me kritikë filmi.

“Kosova është shtet i vogël dhe i përfshirë nga një diletantizëm primitiv ku kritika zhvillohet nëpër kafene. Ka zëra të rrallë kritik të cilët flasin në superlativ vetëm sa për t’ua bë qejfin autorëve të projekteve filmike”, ka thënë ai.

Hapësira për publikim

Ndërkaq regjisori Ben Apolloni, ka KALLXO.com ka thënë se moszhvillimi i kritikës për filmin ka të bëjë edhe me mungesën e hapësirës dhe mosshpërblimin për ata që merren më këtë zanat.

“Mund të jenë disa arsye, por një ndër kryesoret, mendoj që është edhe se mediat nuk paguajnë për shkrime kritike që trajtojnë filmin, teatrin, etj.”, thotë ai.

Në vend vazhdojë të botohet disa revista letrare-kulturore të cilat botojnë shkrime nga fusha e filmit.

Botuesi i revistës “Akademia”,  Berat Dakaj ka thënë për KALLXO.com se “Akademia” ka botuar shkrime kritike nga fusha e kinematografisë.

“Po, herë pas here më dërgojnë shkrime për kritikë të filmit. Në tre numrat e fundit të revistës kemi botuar shtatë kritika për filmin”, ka thënë Dakaj.