Ilustrim

Media si tabelë qitjeje për politikanë e zhurmues

Media nuk është imune ndaj kritikave për përmbajtjet e saj e për mënyrën se si prenzanton lajmet a përmbajtje tjera. Megjithatë, kritika ndaj këtyre përmbajtjeve fillimisht duhet të zhvillohet në fromë profesionale e akademike, sepse, kur kjo kritikë zhvillohet nga politikanë dhe zhurmues të tyre, atëherë media shndërrohet në një tabelë qitjeje, në të cilën zbrazin mëllefin e tyre këto kategori. Media nuk është se ka nevojë për konsideratën, sidomos nga politikanët, të cilët flasin për të me dioptrinë e tyre politike, me formulën sa më larg problemi që raportohet-media është e mirë, sa më afër tyre problemi që raportohet-media është e keqe. Kritka ndaj medias duhet të shtrohet në një rrafsh tjetër- sa ajo media raporton paanshëm, me fakte, në kohë reale, për gjëra të rëndësishme, etj.

Kritika ndja medias në kuptim teorik shihet si një ekzaminim dhe një gjykim ndaj përmbajtjeve mediale, kryesisht lajmeve dhe formave tjera të raportimit. Studiues e ndajnë kritikën mediale nga perspektiva të ndryshme në varësi nga botkuptimi i tyre teorik.

Megjithatë, studiuesi David Cheruiyot, pasi që realizoi një studim me gazetarë, kategorizoi kritikën sipas këndvështrimit të profesionistëve medial.

Cheruiyot, krijoi një model që ndanë në pesë llojë të kritikës ndaj medias; sulmuese, të paarsyeshme, të pabazë, udhëzuese dhe analitike. Nëse vëzhgojmë nga afër komentet që i bëhen punës së gazetarëve në Kosovë nga ana e politikanëve, akterëve të tjerë shoqëror dhe zhurmuesve të ndryshëm në media sociale, padyshim që gjejmë shumë më shpesh tri kategoritë e para të kësaj ndarjeje duke nisur nga sulmet, kritikat pa arsye dhe të pabaza.

Këto tri kategori të cilat nuk mund të quhen kritikë e mirëfilltë ndaj mediave përmbajnë kryesisht fyerje, gjuhë abuzuese, gjuhë emocionale, sulme personale, etj.

Në këtë kuptim, nëse nisemi nga gjuha që përdoret në rastin e Kosovës ndaj mediave, gazetarëve dhe përmbajtjeve të tyre, nuk bënë përjashtim nga këto kategori. Narrativa për një “media të keqe” që i shërben “agjendave të caktuara”, apo është “kundër një politikani”, niset nga termet që përdoren për përmbatjen e tyre.

Shpikja e termit “lajm i rremë”, i përdorur kryeisht dhe në mënyrë masive nga ana e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, sipas studiuesve ndihmoi në krijimin e një narracioni të tillë.

Një grup autorësh që kanë hulumtuar komunikimin politik në media sociale kanë gjetur që termi “lajm i rremë” u shërben poltikanëve si armë për të kundështuar integritetin e medias për përfitime politike, duke shfrytëzuar këtë narrativë për të zvogëluar besimin e publikut në përmbatjet mediale. Duke ndejkur këtë model, edhe shumica e politikanëve të Kosovës, flasin e kritikojnë me gjuhë të rëndë mediat, por nuk është se ndërmarrin ndonjë veprim ligjor a etik ndaj tyre.

Në të dhënat e publikuara në ueb faqen e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që nga viti 2006 kur këto të dhëna janë të qasshme, ka vetëm 50 ankesa nga politikanët. Kjo shifër paraqet më pak se 5 për qind të numrit të përgjithshëm prej 1036 vendimeve të marra nga ky organ vet-rregullues.

Këto të dhëna tregojnë qartë që në fakt politikanët përdorin hapësirën e tyre të komunikimit në publik për t’i sulmuar mediat, dhe për të gjuajtur në to si në një tabelje qitjeje në poligon, por nuk kanë guximin që ato përmbatje mediale të kontestuara t’i dërgojnë në organet rregulluese e vet-rregullese të mediave.

Më tutje, nëse shohim edhe ato 50 ankesa ndaj përmbajtjeve mediale të trajtuara në KMSHK, në favor të politikanëve që janë ankuar në këtë organ janë vetëm 13 vendime, apo rreth 26 për qind, në 10 raste janë miratuar pjesërisht këto ankesa, ndërsa 27 raste apo rreth 55 për qind të rasteve, vendimet nuk i kanë miratuar ankesat e politikanëve.

Në anën tjetër, nëse shohim tregun medial në Kosovë, një pjesë e mediave online e sidomos faqe në media sociale të cilat lënë shumë për të dëshiruar në aspektin e raportimit profesional, u japin shumë mundësi politikanëve që të zhvillojnë diskursin e tyre anti-media.

Këto media të cilave kryesisht nuk u dihen pronarët, adresat, emrat e autorëve të teksteve e të dhëna të tjera të rëndësishme për transparencën e medias, publikojnë kryesisht përmbajtje të paverifikuar, pa burime kredibile, të pabalancuara, luajnë më shumë rolin e zhurmuesit në komunikimin publik sesa infomrimin e drejtë e të saktë për ngjarjet e zhvillimet poltike.

Nëse shohim në retrospektivë, pushteti i tanishëm me mbi gjysëm e votave të qytetarëve në zgjedhjet e fundit, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe “Guxo”, kanë shfrytëzuar maksimalisht raportimet e mediave për të ndërtuar kauzat e tyre politike sa ishin në opozitë.

Në këtë kuptim, diskursi i akterëve kryesor të këtyre dy subjekteve politike ishte zhvilluar edhe nga një aferë e publikuar nga mediat e Kosovës të njohur si “Afera Pronto”, ku përgjimet e bisedave të përfaqësuesve politik rrodhën në publik. Përvec këtij rasti, mediat në Kosovë kishin ofruar hulumtime, raportime e analiza ku trajtoheshin rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit nga qeveritarët e atëhershëm.

Deri këtu media kishte kryer vetëm funskionin e saj shoqëor, por, pushteti i tanishëm e opozita e dikurshme kishte shfrytëzuar këto përmbatje mediale për të ndërtuar kauzat e tyre politike dhe vetëm në raste të rralla kishte kritikuar mediat për punën e tyre, meqë gjërat që ato i raportonin ishin nga taborri i kundërshtarëve politik. Por, kjo qasje ndryshoi në mënyrë drastike pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje së bashku me pjesën e ndarë nga LDK-ja “Lista Guxo”, fituan më shumë se gjysmën e votave të qytetarëve dhe morën qeverisjen në duart e tyre.

Pak pas kësaj date, pushteti i ri, duke përfshirë edhe presidenten dhe zyrtarët përreth saj, ndërruan dioptrinë e vëzhgimit te mediat duke i quajtur ato me disa nga termat më të rëndë si; “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “Kompani të kriminalizuara” e media të “prontos”.

Normalisht, ky ndryshim i qëndrimit dhe gjykimit të medias nuk ndodhi se mediat ndyshuan misionin e tyre, ato vazhduan të raportojnë për problemet dhe dyshimet për keqpërdorimet e pushtetit, i cili në këtë rast ishte i Lëvizjes Vetëvendosje dhe “Guxo”, por duke përdorë formulën më e përmenduar më lart, këta pushtetarë gjykuan e etiketuan median ngase tashmë problemet e raportuara ishin më afër tyre e jo në taborrin kundështarë.

Një diskurs të ngjashëm ndaj mediave kishin ndjekur më heret edhe subjektet tjera në pushtet, mirëpo, në këtë radhë sulmi dhe etiketimet ndaj mediave kanë edhe disa faktorë shtesë që e bëjnë më të vështirë pozitën e medias. Duke pasë parasysh “sundimin” e gjatë të partive poltike tashmë opozitare me Kosovën, ato kanë humbur kredecinalet e kritikës ndaj qeverisjes së tanishme, duke e lënë tërë potencialin kritik vetëm për mediat.

Kjo gjë, pra raportimi, hulumtimi, analizimi i veprimeve të qeverisjes aktuale vetëm nga mediat normalisht që i shndërron ato në të vetmin mendim opozitar në sferën publike.

Derisa mediat kanë mbetur e vetmja “opozitë” reale e këtij pushteti, ndaj tyre krijohet perceptimi i gabuar se ato janë kundërshtare të kësaj qeverie.

Në fakt, media, përmes punës së saj, misionit të saj në shoqëri është “opozitë” e secilës qeverisje, përmes raportimit, kritikës, analizës, hulumtimeve e funksioneve tjera që ka.

Meqë hulumtimet thonë që ende shumica e qytetarëve të Kosovës krijojnë opinon nga raporitmet mediale, media ende vazhdon ta kryej misionin e saj shoqëror.

Ngjashëm si pushteti akutal në rastin e Kosovës kishin vepruar edhe partitë tjera politike derisa ishin në pushtet.

Prandaj, politikanët dhe zhurmuesit e tyre në komunikimin publik nuk duhet të marren asnjëherë seriozisht kur flasin për median, funksionin e saj shoqëor, e përmbajtjen e saj.

Alban Zeneli – Foto: KALLXO.com