LDK e quan dokument të dështuar Strategjinë e re të energjinë 2022- 2031

Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për hartimin dhe miratimin e Strategjisë së re të energjisë, 2022-2031 e cila u miratua dje në Kuvend pa prezencën e opozitës.

Sipas LDK-së, ky dokument është hartuar në kuadër të një procesi krejtësisht jo transparent dhe jo gjithëpërfshirës.

“Kjo strategji u vonua me muaj të tërë dhe u harrua tërësisht, ndërsa dje u kalua me urgjencë në Kuvend. Kjo qartazi po bëhet për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik dhe ballafaqimit me problemin kryesor, atë të uljes së konsumit të energjisë elektrike që përdoret për ngrohje gjatë muajve të dimrit, dhe jo vetëm”- ka thënë Visar Azemi nga LDK.

Sipas tij, Kosova gjatë dy viteve të fundit është future në të gjitha krizat energjetike pa pasur strategji të aprovuar dhe ide se si t’i menaxhojë këto kriza të cilat rezultuan me rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Azemi ka thënë se sipas kësaj strategjie, qeveria ka vendosur të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm në thëngjill.

“Pra në vend se strategjia të propozojë zgjidhje afatgjate për këtë sektor dhe t`i jap kahje zhvillimit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme, kjo qeveri vendosë të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm në thëngjill, pikërisht tani, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë. Duhet të bëhet e qartë se termocentralet e thëngjillit nuk mund të jenë konkurruese me burimet e ripërtëritshme të energjisë nëse vendoset një taksë e karbonit”- ka thënë ai në një konferencë për media.

Dje, deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë miratuar Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovë për periudhën 2022-2031, më 59 vota për, dhe 2 kundër, deputetët kanë arritur ta miratojnë Strategjinë e Energjisë.

Strategjia u miratua pa prezencën e opozitës të cilët e lëshuan sallën pas ndryshimit të rendit të ditës dje.

Ministria e Ekonomisë në qershor të 2022-tës e ka publikuar Strategjinë për Energji 2022-2031. Në këtë Strategji parashikohen investime qindra milionëshe në prodhimin e energjisë nga termocentralet, përkatësisht nga thëngjilli.

Strategjia për energji 2022-2031, cilat janë objektivat kryesore?