Strategjia për energji 2022-2031, cilat janë objektivat kryesore?

Pa deputetët e opozitës Kuvendi i Kosovës në seancën e së mërkurës (08.03.2023) ka miratuar strategjinë për energji 2022-2031.

Qeveria e Kosovës përmes kësaj strategjie synon një sektor energjetik të qëndrueshëm, që garanton siguri të furnizimit me rrymë dhe integrim në tregun Pan-Evropian.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 parasheh që deri në vitin 2030 të renovohen dy njësitë e Termocentralit, “Kosova B” dhe së paku një njësi të Termocentralit, “Kosova A”, kjo për të rritur kapacitet e prodhimit prej së paku 540 MW për ngarkesë bazë dhe 360 MW kapacitet rezervë.

Sipas kësaj strategjie, njësitë B1 dhe B2 do të renovohen në dy faza deri në vitin 2026 dhe njëra njësi e Kosovës A do të renovohet deri në fund të vitit 2024.

“Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit “Kosova A” do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) në dispozicion në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësia e tretë operuese e këtij termocentrali”- thuhet në strategjinë për energji.

Ndërsa deri në vitin 2031, qeveria do të synoj të mbuloj të paktën 35% të konsumit të energjisë nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE).

Për të arritur një kapacitet prej 16002 MW nga BRE deri në vitin 2031 synohet të zhvillohen kapacitete të reja si 600 MW me erë, 600 MW fotovoltaike, 20 MW me biomasë dhe të paktën 100 MW kapacitet nga konsumatorët vetë-prodhues.

Qeveria në strategji ka përfshirë integrimin e tregut me Shqipërinë në vitin 2023, integrimin në zonën e tregut Pan-Evropian deri në 2030, heqjen  graduale të Marrëveshjes e furnizimit me shumicë, duke filluar në 2025 më së voni.

“Integrimi i tregut me Shqipërinë është prioritet i lartë. Kosova që nga dhjetori i vitit 2020 ka filluar funksionimin si Zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Evropës Kontinentale brenda bllokut Shqipëri-Kosovë (AK). Një e arritur e ardhshme në këtë drejtim është funksionalizimi i Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX) dhe përmirësimi i planifikimit të përbashkët të sistemit. Për më tepër, zhvillimet e tregut dhe teknologjive, të tilla si hidrogjeni i gjelbër, energjia gjeotermale, reaktorët e vegjël modularë (SMR), impiantet për prodhim të energjisë nga mbeturinat etj., do të ndiqen me kujdes dhe posa këto teknologji të jenë vërtetuar se janë komercialisht dhe ekonomikisht fizibile, do të merren parasysh”- thuhet në hyrjen e kësaj strategjie.

Një objektiv tjetër në këtë strategji është rritja e numrit të ndërteesave më efiçiente. Kjo do të synohet të arrihet me vendosjen e kërkesave minimale për energji për ndërtesat e reja.

“Synimi më i rëndësishëm në kuadër të efiçiencës së energjisë është rritja e numrit të ndërtesave më efiçiente, meqë ndërtesat përbëjnë më shumë se 40% të konsumit vjetor të energjisë së vendit. Kjo objektivë do të arrihet me vendosjen e kërkesave minimale për energji për ndërtesat e reja dhe ato që renovohen, dhe me zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesa përmes skemave të ndryshme përkrahëse (zbatimi i Strategjisë për renovimin e ndërtesave), promovimit të ndërtesave me konsum të energjisë afër zero, përkrahjes për vendosjen e teknologjive me efiçiencë të lartë (pompat termike, sistemet termike solare, etj.), futjes së Certifikimit për Performancën e Energjisë në Ndërtesa, auditimit të energjisë, dhe rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për masat e efiçiencës së energjisë”- thuhet në strategjinë e energjisë 2022-2031

Strategjia parasheh rritjen e numrit të tëdiplomuarve në fusha të lidhura me energjinë ku synohet që së paku 25% e të punësuarve në këtë sektor të jenë gra, deri në vitin 2031.

Në strategjinë për energji 2022-2031 thuhet se megjithse do të ndiqen zhvillimet në rajon dhe në botë sa i përket gazit Kosova nuk ka infrastrukturë apo fuqi punëtore të kualifikuar për këtë. Në këtë strategji thuhet se do të duheshin dekada për të ndërtuar një rrjet distribucioni për të arritur mbulimin e disa pjesëve të vendit.

Ekspertët e energjisë e kishin kritikuar strategjinë për energji 2022-2031 për shkak të ‘investimeve në qymyr’.

Në emisionin #KallxoPernime Fitim Kryeziu, inxhinier i tensionit të lartë si dhe menaxher i teknikës në rrjetin shpërndarës në Danimarkë, kishte thënë se investimi në thëngjill është investim në diçka pa të ardhme.

“Unë e shoh qymyrin si problematik sepse po investohen 200 milionë euro në diçka që nuk ka të ardhme. Ato 200 milionë euro të paktën me shiku ku munden me u investu. Të paktën për me pasë sigurim të furnizimit duhet të marrësh një hap ta sigurosh”, tha ai.

Ndërsa Adhurim Haxhimusa, ekonomist i energjisë dhe profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuar në Grizon të Zvicrës, kishte thënë se për investimet dhe renovimet në termocentrale askund nuk përmendet fatura e energjisë që do të paguhet nga qytetarët.

Minsitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në maj të vitit të kaluar kishte thënë se 120 milionë euro pritet të kushtojë rindërtimi i një njësie të termocentralit, ‘Kosova A’ ndërsa 200 milionë euro rivitalizimin e dy njësive të Bllokut B.

BIRN kishte përgatitur një analizë se nëse Qeveria e Kosovës ndante rreth 200 milionë euro për subvencionimin deri në 40% te projekteve për rritje të eficiencës së energjisë atëherë do të arrihej që të gjenerohet një investim prej 500 milionë euro.

Ky investim do të siguronte që faturat e energjisë të vinin shumë më të ulëta për familjet që bëjnë investime në efiçiencë të energjisë. Qeveria me më pak se 200 milionë euro në burimet e ripërtritshme do të mund të prodhonte 11.1 megavat orë krahasuar me investimet mbi 200 milionë euro  në blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilat prodhojnë 8.7 megavat.