Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani Foto: Avdullah Hoti

Lavdet e dikurshme të Avdullah Hotit për Vjosa Osmanin

Raportet e kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani janë acaruar shumë kohëve të fundit, sidomos pas deklaratave se kjo e fundit mund të nis një iniciativë për të formuar një parti të re politike.

Osmani së fundi e kishte quajtur Hotin si politikan arrogant, ndërsa sot ajo mori një kundërshtim nga ana e Hotit, duke deklaruar se janë 119 deputetë që mund ta kryenin punën e kryetares së Kuvendit më mirë se sa Osmani.

Hoti dhe Osmani deri para pak kohësh kishin qenë shumë të afërt me njëri tjetrin.

Në zgjedhjet parlamentare të 2017, Avdullah Hoti kishte qenë kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së, por që dolën të tretë në zgjedhje, ndërsa Vjosa Osmani kishte qenë kandidate e LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019, ku dolën të dytët.

Në të dy këto palë zgjedhje, dy palët e kishin mbështetur njëri tjetrin.

Mirëpo për shkak të prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje janë prishur edhe raportet e këtyre dy të fundit. Ato kulmuan sot, kur Hoti tha se Osmanit do t’i duhen 3 vjet për ta kuptuar se e ka gabim.

 

“Unë mund të numëroj 119 deputetë që mund ta bëjnë punën më mirë se kryeparlamentarja, por kjo është relative”, ka deklaruar Hoti gjatë ditës së sotme.

Mirëpo, në kohën kur LDK ia besoi Vjosa Osmani kandidaturën për kryeministre të vendit, Hoti e kishte ‘çuar në qiell’ Osmanin si politikane.

1 vit më parë, Hoti besonte se askush më mirë se Vjosa Osmani nuk do ta qeveriste vendosin dhe nuk do ta sillte ligjin në Kosovë.

“Askush më mirë se ajo nuk e di se çfarë duhet bërë nga dita e parë në qeveri për të vendosur shtetin ligjor për të gjithë njësoj”, kishte shkruar Hoti në Facebook.

Poashtu, 2 javë më vonë, Hoti shkruante se me Vjosa Osmanin kryeministre, Kosova do të niste rrugëtimin në BE.

“Me znj.Vjosa Osmani në krye të qeverisë, Kosova do të kthehet në normalitet dhe do të nisë rrugëtimin drejt BE-së”, shkruante Hoti me 14 shtator të vitit të kaluar.

Një dit më vonë, thoshte se vetëm me Vjosa Osmanin, Kosova mund të shkojë drejt BE-së.

“Kosova shkon ne BE vetëm me Vjosën ne krye te qeverise dhe me LDK”, shkruante kryeministri Hoti 1 vit më parë.

Sot nuk i beson Osmanit, por më pak se 1 vit më parë, ai besonte në Vjosa Osmanin.

“Ne besojmë të vërtetën. Ne besojmë në Vjosa Osmanin”, shkruante Hoti.