Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak sot fillon vizitën në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak sot fillon vizitën  e tij në Kosovë.

Lajçak pritet që në Kosovë të qëndroj deri më datën 17 tetor, ndërsa nesër ai do të takoj kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Poashtu gjatë kësaj vizite është paraparë që të zhvilloj takim edhe me përfaqësuesit e partive politike, komunitetin ndërkombëtar, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mediave, si dhe të rinj.

Lajçak në një deklarim të hënën, ka thënë që do ta vizitoj Prishtinën dhe Beogradin për të diskutuar për vazhdimin e procesit të dialogut.

“Më pas do të vazhdojë vizitën në Beograd. Është pjesë e vizitave të mia të rregullta në rajon, diskutime me liderë si të shtyjmë procesin para”, tha Lajçak të hënën.

Javën që lamë pas në Bruksel, Lajçak është takuar me Besnik Bislimin zëvendëskryeministrin për dialog, si dhe Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.

Pas këtij takimi, Bislimi në një konferencë për media ka deklaruar se në takim me Petkoviq kanë diskutuar për marrëveshjen për targat, të pagjeturit, si dhe hapjen e arkivave.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Lajçak nga 15 deri më 17 shtator do jetë në Kosovë