Aleksandar Vuçiq

Lajçak: Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga marrëveshja 

Teksa bëri një përmbledhje për atë që ndodhi të enjtën e kësaj jave, gjatë takimeve të ndara të udhëheqësve europian me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Mirosllav Lajçak pati një kritikë është për vendin të cilin e udhëheqë ky i fundit. 

“Edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga marrëveshja” – tha Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. 

Ai një deklaratë të tillë e bëri pasi tregoi se takimet e ndara nuk sollën një rezultat, përpos që u morën nga të dyja palët pyetje, të cilave Lajçak shpreson se do i gjejnë përgjigje. 

Takimet u mbajtën me qëllim që të vazhdohen diskutimet gjatë misionit të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe që të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. 

“Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill” – tha Lajçak teksa shtoi se e mirëpriti që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. 

Lajçak shtoi se palët kishin komente dhe pyetje për propozimin europian për statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. 

Këtë statut ai tha se ua kanë paraqitur gjatë misionit të tyre të përbashkët të shtunën e kaluar. “Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë” – tha Lajçak. 

Pas kësaj, Lajçak kujtoi se ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim, pasi sipas tij edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja. 

“Ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord” – tha përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. 

Sipas këtij të fundit, fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. 

“Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm” – tha Lajçak. 

Krejt në fund ai shtoi se me këtë në mendje, do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Kurti më 26 tetor është takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Takimi u mbajtë në Bruksel për të diskutuar lidhur me hapat rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Me po të njëjtit udhëheqës u takua edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve, Qeveria e Kosovës tha se Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023.