Foto: KALLXO.com

Lajcak pas takimit me opozitën: Jam optimist se nuk do ta kundërshtojnë marrëveshjen

Emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai nga mediat është pyetur nëse është i brengosur se opozita do ta kundërshtoj marrëveshjen, përderisa përgjigja e tij ka qenë, “Nuk jam i brengosur, jam optimist”.

Lajçak ka thënë se është e rëndësishme për të të takohet me partitë opozitare në këtë pikë.

“Jam takuar më PDK, LDK, AAK, i kam informuar për procesin për pritjet e komunitetit ndërkombëtar, ata sqaruan pozicionet e tyre, është e gjitha pjesë e përgatitjeve për takimin e 18 marsit, është e rëndësishme që të dëgjojnë edhe nga ne, jo vetëm nga media dhe seancat e Kuvendit. Për mua këto takime e kanë arritur qëllimin” – është shprehur ai.

Lajçak ka ardhur të enjten në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bilisimi.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë pajtuar se nuk ka nevojë të diskutohet për Planin franko-gjerman, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.