Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak: Liderët kosovarë duhet të shkojnë tek shtetet që po e bllokojnë liberalizimin e vizave

Në forumin i cili po organizohet në Bratislavë me temën “Ballkani Perëndimor pas-COVID-19”, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është pyetur nga një gazetar boshnjak për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Gazetari ka pyetur Lajçak nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i besojnë Bashkimit Evropian pasi ka dështuar t’u sigurojë kosovarëve liberalizim të vizave.

Gazetari po ashtu tha se dy gazetarë kosovarë nuk kishin mundur të shkonin në këtë forum pikërisht për mungesë vizash.

“Kosova është e vetme dhe e fundit pa liberalizim të vizave. Është fakt që Komisioni Evropian ka thënë që në vitin 2018 që Kosova i ka plotësuar kriteret, Parlamenti Evropian ka thënë që duhet hequr liberalizimi vizave. Por Komisioni Evropian, që janë 27 shtete anëtare, i marrin vendimet në bazë të konsensusit dhe këtu s’ka konsensus”, tha Lajçak.

“Unë mërzitem kur thonë që BE ka dështuar t’i mbajë premtimet e saja. Kur flasim për vizat janë disa shtete që kanë pyetje dhe këto pyetje nuk janë të atyre ideologjike por janë të lidhura thjeshtë me çështje të sigurisë, për të garantuar që liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret për punësim të paligjshëm në këto vende”, tha tutje Lajçak.

Ai u ka bërë thirrje liderëve kosovarë që të interesohen dhe të flasin me këto shtete, në mënyrë që të kuptojnë saktë se çfarë duhet bërë për të marrë aprovimin e tyre.

“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen dhe t’i pyesin si mund të ju bindim juve, çfarë dëshironi nga ne” , ka vazhduar Lajçaku në përgjigjen e tij.

Kosova është i vetmi shtet në Bashkimin Evropian që nuk ka liberalizim të vizave.

Konferencën e gjeni në këtë LINK