Foto: KALLXO.com

Lajçak: Kurti e Vuçiq janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes, tani duhet të pajtohemi si të implementohet

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë pajtuar se nuk ka nevojë të diskutohet për Planin franko-gjerman, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian, tani kanë nevojë të dinë se si të implementohet marrëveshja, hapat dhe afatet.

“Vizita në Prishtinë kishte këtë qëllim dhe takimi me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar si të implementohet dhe ne kishim diskutim konstruktiv dhe të dobishëm rreth kësaj. Edhe me presidenten kemi biseduar për këtë. Këtë do ta diskutojmë edhe me partitë opozitare” – tha Lajçak.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite, sipas tij, ishte të shohim se si Kosova e sheh implementimin.

“Për të njëjtin qëllim unë të hënën dhe të martën do të jem në Beograd, për të dëgjuar nga Serbia se si ata e shohin implementimin e këtij plani” – shtoi ai.

Sipas Lajçakut, synimi i takimit të Ohrit është finalizimi i marrëveshjes – që është hapi i dytë, e hapi i tretë do të jetë formalizimi i marrëveshjes.

Një vizitë e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd ishte paralajmëruar pas takimit të 27 shkurtit.

Në takimin trepalësh të 27 shkurtit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk është arritur marrëveshje.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante Planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si Plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm ta pranonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e Planit franko-gjerman, i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Pas takimit të 27 shkurtit, një takim i ngjashëm është paralajmëruar më 18 mars.