Ky është kandidati më i poentuar për drejtor të SHSKUK-së

Elvir Azizi është kandidati më i vlerësuar në konkursin për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik, Universitar të Kosovës. 

KALLXO.com ka monitoruar procesin e këtij konkursi.

Azizi është vlerësuar me 74.2 pikë nga 100 gjithsej. 36 në testin me shkrim, i cili është mbajtur më 9 qershor dhe 38.2 në intervistën e mbajtur sot.

Kundërkandidati i tij, Zef Ndrejaj është vlerësuar me 62.7 pikë, 34 në test dhe 28.7 në intervistë. 

Ndërsa, kundërkandidati tjetër, Haqif Arifi është vlerësuar me 58.9 pikë, 31 pikë në test dhe 27.9 në intervistë.

KALLXO.com kishte raportuar për Elvir Azizin dhe për raportet e tij me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Azizi dhe Vitia kanë qenë kolegë të studimeve, por e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve. Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë.

Kësaj gare, në fillim ia patën mësyrë shtatë vetë. Dy prej tyre, Basri Lenjani dhe Sanije Gashi u tërhoqën nga gara ditën që u mbajt testi.

Ndërsa, dy tjerët Basri Sejdiu dhe Gëzim Shala, nuk arritën ta kalojnë as fazën e parë, duke mos plotësuar kriteret.

Basri Sejdiu fillimisht kishte hyrë në listën e ngushtë, por më pas ishte larguar për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë opinion se për shkak se Sejdiu ka masë për mosngritje në detyrë për tre vite, nuk i plotëson kriteret. 

Lidhur me këtë, Sejdiu është ankuar, mirëpo pasi që ankesa i është refuzuar, ai ka ngritur padi.

Intervista me shkrim ka zgjatur 45 minuta për secilin kandidat. Secili prej tyre, ka pasur 10 minuta kohë për të prezantuar se cilat janë tri sfidat në drejtimin e SHSKUK-së dhe tri arritje që mund t’i bëjnë brenda mandatit.

Për këto prezantime, kandidatëve u janë parashtruar edhe tri nënpyetje. Më pas, secili anëtar i komisionit ka bërë nga një pyetje të njëjtë për kandidatët.

Në komisionin vlerësues, i cili është formuar nga bordi i SHSKUK-së, kanë qenë Naim Bardiqi, kryesues i Bordit të SHSKUK-së, Tetore Olloni dhe Enver Gashi, anëtarë të këtij bordi, Ismet Berisha nga Zyra e Personelit të SHSKUK-së dhe Haki Smajli nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas kësaj faze, janë 15 ditë, kur kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre të Njësia e Burimeve Njerëzore. Kjo e fundit, më pas e dërgon listën me emra në bordin e SHSKUK-së, i cili emëron zyrtarisht drejtorin e këtij institucioni.

SHSKUK do të bëhet drejtor pas 10 muajsh udhëheqje nga ushtrues detyre.

Më 2 gusht 2022, ish-drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi kishte dhënë dorëheqje. Në atë kohë, u.d. e Drejtorit të Përgjithshëm ishte emëruar Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Pasi që edhe Zejnullahu-Raçi dha dorëheqje më 26 janar, Narqize Arenliu – Hoxhaj u emërua në atë pozitë dhe vazhdon të jetë aty.