Basri Sejdiu, drejtor i SHSKUK. Foto: REL

Basri Sejdiu largohet nga lista e kandidatëve për drejtor të SHSKUK-së

Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës ka publikuar listën përfundimtare të pretendueseve për drejtor të këtij institucioni.

Lista e cila mban datën 16 maj, ka pesë emra të personave që kanë plotësuar kriteret për të qenë në listën e ngushtë.

Por në këtë listë nuk është përfshirë, ish drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu i cili iu fut garës për këtë pozitë.

Avokati i Sejdiut, Florim Shefqeti tha se Basri Sejdiu fillimisht ishte përfshirë në listën përfundimtare duke konsideruar se i ka plotësuar kushtet por më pas është larguar.

Basri Sejdiu tha shkurt për KALLXO.com se “dikujt po i pengon hyrja e tij në garë”.

Sipas avokatit të Sejdiut, ai u largua nga lista pas opinionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili thotë se “Sejdiu nuk përmbushë kërkesat ligjore për të kaluar në fazat tjera të testimit dhe vlerësimit të njohurive”.

Basri Sejdiu bashkë me disa mjekë të tjerë në vitin 2021 pas një paraqitje televizive në mediumin publik ishin dënuar me mos ngritje në pozitë dhe mos ngritje në pagë për pesë vite.

Ky dënim po konsiderohet si shkak për mos përfshirjen e tij në listën e ngushtë për drejtor të SHSKUK-së.

Por avokati thotë se ligji nuk parasheh që për një dënim të tillë ai të mos lejohet të kandidoj.

“Fillimisht në listën që është bërë nga Burimet Njerëzore të SHSKUK-së ky ka qenë i përfshirë në listë për shkak që ligji për zyrtarë publik nuk thotë që nuk duhet me pas masë disiplinore por të jetë i larguar nga shërbimi publik. Ky kurrë nuk ka qenë i larguar nga shërbimi publik. Ky ka pas një masë disiplinore të cilën realisht ja patën montu për me ia vendos masë ndalimi të ngritjes në detyrë. Pas përpilimit të listës këta kanë kërku opinion në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dhe në këtë opinion thuhet se gjoja se Basri Sejdiut nuk i lejohet kandidimi. Dhe kjo është e vetmja mënyrë për me e largu nga gara”- tha avokati i Basri Sejdiut për KALLXO.com.

Ai tha se tash kanë kërkuar qasje në dokumente publike për të parë komunikimin në mes institucioneve në lidhje me opinionin nga Ministria.

“Ne e kemi dërgu një kërkesë për qasje në dokumente publike. E kemi kërku komplet komunikimin në mes SHSKUK-së, Zyrës së Personelit dhe Ministrisë dhe me e pa kush ka bo kërkesë me u bë ky opionon”- tha ai.

Në një email të siguruar nga KALLXO.com, Alban Janova, shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore të SHSKUK-së kishe dërguar e-mail në MPB për “opionin urgjent” për këtë çështje.

“Njëri nga kandidatët, përkatësisht z.Basri Sejdiu, ka aplikuar në këtë pozitë,  i njëjtë ka qenë në këtë pozitë deri në korrik 2020 kur ishte shkarkuar me Vendim të Bordit Drejtues. Gjithashtu gjatë vitit 2021 z.Sejdiu i cili është mjek specialist në Klinikën e Kardiologjisë, i është shqiptuar masa disiplinore “ndalimi i ngritjes në detyrë, duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për një periudhë 5 vjet” nga Komisioni Disiplinor në QKUK. Komisioni i Ankesave ia ka aprovuar pjesërisht ankesën dhe këtë masë e ka ulur nga 5 në 3 vite… Meqë janë ngritur dilema rreth kësaj liste kërkojmë një opinion nga DMZP, me qëllim të evitimit të të gjitha dilemave të cilat ndërlidhen me këtë konkurs”- thuhet në email.

Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i Ministrisë së Punëve të Brendshme një ditë pas pranimit të këtij emaili ka kthyer përgjigje se Basri Sejdiu nuk mund të kandidoj për drejtor të SHSKUK-së.

“Aplikimi i z.Basri Sejdiu nuk përmbushë kërkesat ligjore për të kaluar në fazat tjera të testimit dhe vlerësimit të njohurive”- thuhet në përgjigjen e këtij departamenti.

“Në kushtet që ende jemi, pra në afatin e vlefshmërisë së masës disiplinore ”ndalimi i ngritjes në detyrë, duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për një periudhë nga dy deri 5 vjet”, e vërtetuar në Komisionin për Ankesa sikurse është referuar në këtë kërkesë, përkatësisht e vendosur me vendim përfundimtar në procedurë administrative (Vendimi i Komisionit për Ankesa ne këtë rast është vendim përfundimtar ne procedure administrative) që nënkupton se është tashmë masë e ekzekutueshme, cilido kandidat, nuk mund t’i lejohet verifikimi paraprak si kandidat që përmbushë kushtet për aplikim përkatësisht vijimin e konkurrimit ne fazat tjera. Kjo për faktin se pavarësisht konkursit, ipso jure, tek ai/ajo nuk është i përjashtuar elementi i kundërligjshmërisë për një aplikim të tillë, gjegjësisht është i paligjshëm si i tillë”- thuhet tutje në përgjigjen.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me SHSKUK-në dhe është në pritje të përgjigjes.

Basri Sejdiu ishte shkarkuar nga bordi nga pozita e drejtorit të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës.

Basri Sejdiu: Ka mundësi që shkarkimi im është hakmarrje e bordit