Jep dorëheqje drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se bordi drejtues në mbledhjen e sotme ka miratuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK, Valbon Krasniqi.

Sipas njoftimit, u.D. të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, është emëruar Pranvera Zejnullahu-Raçi.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së me këtë rast duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Krasniqit e falënderon për bashkëpunimin e treguar”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ShSKUK.

Më 27 korrik 2022, mediat raportuan se shkarkimi i Valbon Krasniqit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është në rend dite në mbledhjen e Bordit të SHSKUK-së  që u mbajt atë ditë, por që nuk ndodhi.

Krasniqi ka mbajtur këtë pozitë që nga shkurti i vitit 2021 zyrtarisht, ndërsa disa muaj më herët ushtroi detyrën e drejtorit pas largimit të Basri Sejdiut.

Krasniqi është kthyer në garën për drejtor të ShKSUK, pasi ishte eliminuar fillimisht për mungesë të përvojës menaxheriale.

BIRN kishte kërkuar nga Bordi i ShSKUK-së që t’i lejohet monitorimi në këtë konkurs por të njëjtët nuk e lejuan monitorimin.  Madje ekipi i BIRN-it u njoftua se nuk u lejohet të monitorojnë 20 minuta pasi filloi testimi me shkrim për kandidatët.

Kujtojmë se BIRN kishte kërkuar edhe qasje në dokumente publike për të kuptuar pse është rikthyer në garë për drejtor Valbon Krasniqi pasi fillimisht ishte eliminuar për mungesë të plotësimit të kritereve sa i përket përvojës menaxheriale. As në këtë çështje nuk ka pasur transparencë nga bordi i ShSKUK-së.

Dyshimet se në këtë konkurs ka parregullsi kishin filluar me rikthimin në garë të Valbon Krasniqit të cilin njësia e burimeve njerëzore fillimisht e ishte larguar nga gara për shkak të mungesës së përvojës në punën menaxheriale, ndërsa më vonë u rikthye në garë.

Me tu rikthyer në garë Valbon Krasniqi tre kandidatët tjerë, Saudin MaliqiDriton Ukmata dhe Gani Halilaj, janë larguar nga kjo garë, pasi që sipas tyre ky konkurs është i politizuar.

Valbon Krasniqi zgjidhet drejtor i ShSKUK-së në konkursin e politizuar dhe jotransparent