Ministri i Shëndetësisë dhe kandidati për drejtor të SHSKUK-së, Elvir Azizi

Kolegu i studimeve dhe shoku i Arben Vitisë, kandidat për drejtor të SHSKUK-së

Elvir Azizi, kolegu i studimeve të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ia ka mësyrë që të udhëheqë njërin prej institucioneve më të rëndësishme të këtij sektori në Kosovë. 

Azizi bashkë me katër të tjerë kanë hyrë në listën e ngushtë të kandidatëve për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Azizi e Vitia e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve. Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë. Në vitin 2017, Arben Vitia ishte drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

Arben Vitia ka qenë ministër i Shëndetësisë nga data 22 mars 2021 deri më 1 tetor 2021, datë në të cilën kishte dhënë dorëheqje për t’i hyrë garës për kryetar të Prishtinës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për datën kur Azizi ka filluar angazhimin e tij në ministrin e Shëndetësisë si ekspertë i farmacisë, por ata nuk kanë dhënë përgjigje për daten e saktë.

“Nga fundi i vitit 2021 deri në fillim të majit të këtij viti”, ka qenë përgjigja e MSH-së, duke na bërë të pamundur të dimë nëse Azizi është angazhuar në MSH gjatë kohës sa Vitia ka qenë ministër. 

“z.Azizi ka qenë i angazhuar në MSh si ekspert i fushës së farmacisë përmes njësisë koordinuese të Bankës Botërore, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes me Bankën” – ka thënë Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com.

Vlerësimi i kandidatëve për drejtor të SHSKUK-së do të bëhet nga Komisioni vlerësus i përbërë nga: Naim Bardiqi, Rrezarta Bajrami-Halili, Enver Gashi, Haki Smajli dhe Ismet Berisha. 

Kryesues i Komisionit do të jetë Naim Bardiqi, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ishte rikthyer në pozitën e sekretarit në ditën që Vitia e kishte marrë postin e ministrit më 23 mars 2023. Bardiqi madje kishte shkuar së bashku me Arben Vitin kur ky i fundit e kishte pranuar postin e ministrit nga Armend Zemaj.

KALLXO.com ka kontaktuar me Elvir Azizin për ta pyetur atë lidhur me raportin e tij me ministrin Arben Vitia, nëse janë miq, nëse e ka informuar Vitinë para se të kandidojë për drejtor të SHSKUK-së dhe nëse arsyeja e dorëheqjes është kandidimi në këtë konkurs.

Azizi ka refuzuar të përgjigjet në shumicën e pyetjeve, nën arsyetimin se sipas gjykimit të tij janë jorelevante. 

Ai thotë se me Vitinë kanë qenë vetëm kolegë në të kaluarën dhe kanë njohje si me shumë kolegë të tjerë, duke përfshirë edhe kundërkandidatët për të cilët thotë se ka shumë respekt.

“Ministri Vitia ka qenë vetëm një nga kolegët e shumtë në fushën profesionale. Kjo mbase ju ndihmon edhe si informacion për përgatitjen time profesionale dhe preokupimin tim të vetëm që të prezantoj një koncept sa më të avancuar në shërbim të qytetarëve. Jam i sigurt se edhe ju, edhe kandidatet e tjerë e njohin ministrin mbase edhe më mirë se unë, shkaku i funksionit të tij publik dhe profesional” – tha Azizi për KALLXO.com përmes mesazheve.

Ai ka refuzuar ta komentojë edhe fotografinë ku shihen së bashku me ministrin Vitia.

“Mendoj se të gjitha përgjigjet e kërkuara i sqarova, gjithmonë në shërbim të transparencës, në respekt të profesionalizmit tuaj” – tha shkurt ai.

Elvir Azizi është gjithashtu bashkëshorti i drejtoreshës së Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike në QKUK, Greta Lila, e cila mban këtë pozitë që nga viti 2021. Sipas Nenit 17 të Statutit të QKUK-së, drejtorët e shërbimeve klinike i përgjigjen Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së. E në rast se Azizi zgjidhet drejtor i SHSKUK-së, gruaja e tij do të duhej t’i përgjigjej atij.

Kandidati për drejtor të ShSKUK-së, Elvir Azizi ka refuzuar të përgjigjet për këtë çështje.

“Konkursi është publik bashkë me emrat të cilët kanë kandiduar. Secili prej tyre është profesionist i dëshmuar dhe ju dëshiroj suksese. Kjo më bën që të përgatitem edhe më shume për të paraqitur konceptin tim dhe është i vetmi preokupim i imi ngaqë secili do te garojmë me idetë dhe vizionin për të ardhmen e institucionit” – ka thënë ndër të tjera Azizi.

Ai u shpreh i bindur se cilido kandidat që do të jetë më i suksesshmi, do të kontribuojë me profesionalizëm.

KALLXO.com ka dërguar pyetjet e njëjta edhe në adresën e ministrit Vitia, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

Në listën e parë me emrat e kandidatëve të publikuar nga SHSKUK më 12 maj 2023, kanë qenë 6 emra, Basri Lenjani, Sanije Gashi, Haqif Arifi, Zef Ndrejaj, Elvir Azizi dhe Basri Sejdiu.

Ky i fundit është larguar nga kjo listë katër ditë më pas. Shkak i kësaj po konsiderohet të jetë fakti që ai bashkë me disa mjekë të tjerë në vitin 2021 pas një paraqitjeje televizive në mediumin publik ishin dënuar me mosngritje në pozitë dhe mosngritje në pagë për pesë vite. Pas ankesës së të dënuarve, Komisioni Disiplinor i Ankesave në ShSKUK kishte ulur këtë dënim nga pesë në tri vite.

Avokati i Sejdiut, Florim Shefqeti tha se ai u largua nga lista pas opinionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili thotë se “Sejdiu nuk përmbush kërkesat ligjore për të kaluar në fazat tjera të testimit dhe vlerësimit të njohurive”.

Basri Sejdiu tha shkurt për KALLXO.com se “dikujt po i pengon hyrja e tij në garë”. Ndërkaq, avokati thotë se ligji nuk parasheh që për një dënim të tillë ai të mos lejohet të kandidojë.

Konkursi për drejtor të përgjithshëm të SHSKUK-së është hapur më 31 mars të këtij viti. BIRN ka kërkuar nga Bordi i SHSKUK-së që të monitorojë procesin e këtij konkursi dhe iu është aprovuar kërkesa më 19 maj.

E njëjta kërkesë ishte refuzuar nga bordi paraprak, në konkursin e kaluar për të njëjtën pozitë. Madje ekipi i BIRN u njoftua se nuk u lejohet të monitorojnë 20 minuta pasi filloi testimi me shkrim për kandidatët.

Ndërsa, BIRN nuk është lejuar që të monitorojë mbledhjet e bordit të ri të SHSKUK-së, dhe për këtë Ministri Vitia u sfidua më 10 maj.