Kuvendi të enjten mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore

Me kërkesën e 40 deputetëve, Kuvendi i Kosovës më 28.03.2024 pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me themelimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti.

Kërkesa për këtë seancë është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas kryetares së Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, të enjten në fakt do të mbahen dy seanca.

“Më 28 mars, në ora 10:00, sipas kërkesës së 40 deputetëve do të mbahet seanca e jashtëzakonshme- seancë e cila synon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për kontratat e negociuara. [Ndërkaq] Në ora 12:00 është një seancë tjetër plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara”- ka bërë të ditur ajo.

Deputetja Blerta Deliu Kodra ka deklaruar komisioni hetimor i kërkuar nga PDK-ja do të hapte rrugë për zbardhjen e parregullsive që kjo parti pretendon se i ka identifikuar në lidhje me kontratat njëburimore.

“Javën e kaluar kemi pasur debat parlamentar që u bojkotua nga mazhoranca. PDK ka kërkuar që këtë të enjte të jetë çështja e themelimit të Komisionit hetimor parlamentar. Konsideroj që i njëjti do të hapte rrugë dhe do të zbardhte parregullsitë që PDK i ka identifikuar. Në 7 institucione në vitin 2022 dhe 2023 janë aplikuar sasi e madhe e kontratave njëburimore në kundërshtim me kushtet ligjore”- tha ajo.

Vetëm në KEK, sipas saj, janë nënshkruar 220 kontrata të tilla që kapin vlerën mbi 150 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës më 14.03.2024 ka mbajtur debat parlamentar lidhur me kontratat njëburimore.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të komisionit hetimor është dëshmi e panikut dhe frikës së Qeverisë.

“Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër”, ka shkruar Tahiri.

Për kontratat njëburimore Qeveria është kritikuar edhe nga dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.

Kontratat e tilla, sipas opozitës, janë burim i korrupsionit.

Tahiri (PDK): Duhet të themelohet një komision i veçantë hetimor për kontratat njëburimore