Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum për të votuar marrëveshjen për rehabilitimin e linjës hekurudhore

Kuvendi i Kosovës, edhe pse i ka filluar punimet me rreth gjysmë ore vonesë, sërish nuk pati kuorum që të votoj projektligjin për ratifikimin e amandamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Këtë marrëveshje e ka hedhur në votim dy herë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, por për shkak të mungesë së kuorumit të nevojshëm, nuk u arrit të votohet.

Në tentativën e parë për votim të kësaj pike, në sallë ndodheshin vetëm 75 deputet, të pamjaftueshëm për të krijuar kuorumin e nevojshëm për votim.

“Në sallë janë 75 deputet për shkak se kërkohet 2/3 e deputetëve këtë pikë e shtyjmë kur të plotësohen kushtet për votim”, tha Bogujevci.

Kurse, herën e dytë prezent në sallë ishin 93 deputetë por vetëm 71 deputetë morën pjesë në votim, çfarë bëri që sërish të mos plotësohet kuorumi duke u shtyrë si pikë e rendit të ditës për një seancë tjetër parlamentare.

Kjo pikë edhe javën e kaluar nuk kishte pasur kuorum për votim.

Për këtë marrëveshje opozita e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aaleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në votim.

https://kallxo.com/lajm/nuk-miratohet-marreveshja-per-rehabilitimin-e-linjes-hekurudhore/

Gjatë seancës, Bogujevci ka rekomanduar që të shtyhen edhe tri pikat e tjera për votim për një plenare tjetër, pasi ajo konsideroi se “ka vullnet që të votohet”.

Pikat që janë shtyrë për një seancë tjetër janë:

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II),

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.